Nga: ZONJA VJOLLCA
700 gr bizele të freskëta
3 lgj vaj ulliri
2 lgj miell
Kripë, piper i zi
Bukë e ftohtë e bardhë
2 kokrra qepë
1 lgj gjalpë
3 kokrra vezë
250 ml qumësht
Majdanoz, nenexhik
Kripë, piper i zi

Fillimisht në një tenxhere me ujë të vluar shtojmë 1 lç kripë dhe ziejmë bizelet e freskëta për 10 minuta, më pas i largojmë ato nga tenxherja me një sitë dhe ujin e tyre e ruajmë. Ndërkohë bukën e presim në copa të vogla dhe e vendosim në një tas të thellë. Ngrohim qumështin dhe zbutim bukën duke e përzierë, më pas e mbulojmë dhe e lemë të përthithë të gjithë qumështin. Presim qepën në kubikë të vegjël dhe e skuqim atë me pak gjalpë. Majdanozin pasi ta kemi larë dhe tharë mirë e grijmë imët dhe e ndajmë në dy pjesë, një pjesë për salcën dhe një pjesë e bashkojmë për brumin e qofteve, tek qepët ku shtojmë dhe pak nenexhik të freskët. Tek tasi ku kemi vendosur bukët të zbuten shtojmë vezët, kripë, piper të zi dhe qepët së bashku me erëzat. I punojmë të gjithë përbërësit derisa të realizohet një brumë qoftesh i lidhur. Nëse brumi na rezulton shumë i thatë mund të shtojmë pak qumësht. Më pas me duar të lagura formojmë qofte të madhësisë mesatare. Përgatisim më pas salcën duke kaurdisur në një tigan me pak vaj ulliri ose gjalpë 2 lugë miell. Sapo mielli të zverdhet pak, jo të errësohet, shtojmë lëngun e bizeleve që ruajtëm duke e trazuar me telin e vezëve që mielli mos të bëhet me kokrriza dhe të realizohet një salcë jo shumë e trashë. E rregullojmë me kripë dhe piper dhe më pas shtojmë bizelet dhe qoftet me bukë. I lemë të ziejnë për 15 minuta dhe më pas i shërbejmë spërkatur me pak majdanoz.
(er.cu/vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb