Shorti i sotëm i fazës “play-off” të Ligës së Europës ka qenë me interes edhe për disa futbollistë shqiptarë të cilët me skuadrat e tyre kanë njohur rivalët në hapin e fundit para kualifikimit për në grupe.

Legia e Varshavës ku luan Armando Sadiku do të ndeshet ndaj moldavëve të Sherif Tiraspolit. Kampionët e Moldavisë e paskan fatin europian të lidhur me shqiptarët në këtë sezon duke qenë se u ndeshën me Kukësin në turin e dytë kualifikues të Ligës së Kampioneve dhe me Karabakun e Ansi Agollit në turin e tretë kualifikues të Ligës së Kampioneve.

PAOK-u i Ergys Kaçes dhe Osijeku i Eros Grezdës kanë pasur fat gjatë hedhjes së goglave. Skuadra greke do të përballet me suedezët e Ostersunds, të cilët gjithsesi nuk mund të quhen dhe aq të lehtë pasi eliminuan në turin e dytë turqit e Gallatasarajit. Ndërkohë kroatët do të vihen kundër austriakëve të Austrisë së Vjenës.

Pasi eliminoi Ruzomberokun e Kristi Qoses, skuadra e njohur angleze e Evertonit do të ketë sërish përballë një futbollist shqiptar. Shorti i sotëm i vendosi ata përballë kroatëve të Hajdukut të Splitit ku aktivizohet mbrojtësi Hysen Memolla. (panorama sport)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb