“Pas Beratit, Krujës, Shkodrës, Korçës, Gjirokastrës, tashmë radhën e ka qyteti bregdetar i Vlorës që të rilindë përmes trashëgimisë kulturore”. Kështu deklaron Ministria e Kulturës, e cila njofton se pas një pune të gjatë dhe konsultimeve të bëra projekti për “Restaurimin dhe rikualifikimin urban të ansamblit ndёrtimor “Qendra Historike Vlore”, është drejt finalizimit.

Ky projekt i hap rrugën kështu restaurimit, konservimit dhe rehabilitimit të vendbanimeve tradicionale dhe zonave të trashëgimisë kulturore.

Ky projekt bëhet i mundur falë bashkëpunimit teknik dhe financiar me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, sipas të njëjtit model me të cilin është punuar për rijetëzimin e Pazarit të Korçës, të Krujës, Gjirokastrës.

Është tashmë i njohur programi i Qeverisë shqiptare që udhëhiqet nga Ministria e Kulturës, për rijetëzimin e qendrave historike dhe kthimin e tyre në pole jo veç tërheqëse për turistët por dhe për t’i dhënë hov zhvillimit ekonomik të zonës.

Së fundmi në qytetin e Vlorës u zhvillua një takim i përbashkët dhe vizitë në terren midis përfaqësuesve të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit AADF, Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Vlorë, Bashkisë Vlorë dhe studios projektuese Atelier 4, ku u diskutua më konkretisht rreth detajeve të këtij projekti, i cili financohet nga AADF në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe Bashkinë Vlorë.

Zona për të cilën po hartohet projekti është zona ku qyteti i Vlorës ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19‐të dhe fillimit të shekullit të 20‐të. Brenda kufijve të zonës së projektit ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat arkitektonike‐historike që mbart: rruga “Justin Godard”.

Rruga Justin Godard ka qënë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes së Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në Lagjen Partizani në drejtim të Babicës ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920.

Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik. Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “lagjja e hebrenjëve”, klubi “Laberia” dhe ish-Sinagoga. Në fund, nga ana lindore ka qënë dhe xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka patur disa ndërtesa shoqërore në shekullin e XIX, si një sahat (kullë) dhe Posta e qytetit.

Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar dhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apolloni.

Nga ana arkitektonike ansambli paraqitet në formën e një vargu, i plotësuar me ndërtime pjesë-pjesë dhe ruan një pamje të njohur të qyteteve tona të kësaj periudhe, ku si funksion të katit përdhe dallohen dyqanet e ndryshme, kurse në katet e tjera ka patur gjithmonë banim.

Ansambli është vënë në mbrojtje në vitin 1980. Që atëherë, ka patur punime të pjesshme restaurimi të herë pas hershme. Ky ansambël shfaqet me demtime si në fasada, po ashtu dhe në brendësi të godinave.

Parashikohet që punimet restauruese të fillojnë brenda pranverës dhe do të mbikqyren nga Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: