VORE- I ndodhur në Bashkinë e Vorës, kryeministri Rama kërkoi votën për të qeverisur i vetëm, ndërsa nuk i ndali akuzat për aleatin katër vjeçar në qeveri, LSI-në.

“Tepsia është administrata e shtetit. Nëse ne do kishim fuqi nga njerëzit nuk do ishin sot këtu në Vorë 3 mijë familje që kanë marrë lejen dhe s’marrin dot hipotekat. Hipotekat janë të bllokuara nga tepsia”,- tha ai, ndërsa shtoi se nëse votohet PS-ja, ato do zhbllokohen brenda vitit.

Duke iu dhënë në mesazh tjetër aleatëve, Rama tha se nuk i ka mohuar reformat e arritura bashkë me ta, por tani ka ardhur koha të bëhet shtet. Ai shtoi se nuk e kuptonte aspak se pse çirreshin e bërtisnin.

“Unë nuk kam dalë në këtë fushatë për luftë, kam dalë për garë po jo garë me të tjerët. Unë nuk e di çfarë kanë, janë çmendur, bërtasin, çirren, as po ju thotë njeri gjysëm llafi. Pse i shqetëson kaq shumë vetëm një gjë, duam të bëjmë shtet, duam të bëjmë administratë. Pastaj vijnë në Tiranë thonë ku është tepsia. Ore jemi këtu për njerëzit, duhet të regjistrojmë tokat, ata na kanë votuar për këtë punë. Jo, unë dua hipotekën, patentat, midhjet, oktapodin, burgun, vjen tjetri thotë dua pastruesen. Ai ka pastrueset e veta. Si mund të bëhet shtet kështu, dhe kjo s’është personale. Unë nuk them që e ka fajin ajo parti apo kjo parti. Dhe ne me koalicionin kemi bërë punë shumë të mira. Unë nuk po i hedh poshtë reformat që kemi bërë me aleatin. Pavarësisht se punët i kemi bërë vetëm ne, ata na kanë dhënë votën me mendjen tek tepsia. Por të dalin të krenohen me punët që kemi bërë”, u shpreh Rama ndër të tjera.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: