Kryeministri Edi Rama, “Komunikimin Javor” të kësaj jave nuk e dha nga zyra e tij ku jemi mësuar ta shohim gjithnjë, por nga një ambient në natyrë. “Mesazhet tani e tutje do i jap ndryshe, nga vendndodhjet e mija në rrugëtimin drejt fitores. Ju përshëndes nga Elbasani”, e nisi kryeministri fjalën e tij.

Ai mesazhin e sotëm e dha për emigrantët, të cilëve u bëri thirrje të telefonojnë të afërmit dhe t’i shtyjnë të votojnë PS-në.

“Emigrantëve, ata që e kanë të pamundur për të hedhur votën për PS në ditën e zgjedhjeve. Kjo është hera e fundit që nuk mund të votoni nga ku jeni, se kemi nisur një punë kolosale për të regjistruar shqiptarët jashtë atdheut. Pa ju, Shqipëria nuk do t’i kishte mbijetuar rrënimit ekonomik në vitet e tranzicionit.

Pa ju, Shqipëria nuk do të kishte të ardhme, s’do ishte pasuruar me dije. Pa ju, Shqipëria nuk do kishte sot fuqinë e ëndrrave dhe shpresave që frymëzon shembulli juaj. Jam shumë mirënjohës për gjithçka bëni për Shqipërinë, nga ju marr energji për të udhëhequr reformat që bëjnë shtet. E di që ka nga ju që na votuan në 2013-n por keni pritur më shumë, e dimë që duhet të bëjmë më shumë, por kemi dhënë provën që mund të bëjmë shtet. Dua t’ju siguroj që do bëjmë gjithçka duhet nëse na mbështesni. Këtu nuk është betejë për fanellat e partive, por për flamurin kuqezi që për ju në emigrim është krenari e dhimbje.

25 qershori duhet të bëhet dita jonë kuqezi, e gjithë shqiptarëve. Prandaj ju lutem, merrni në telefon familjarët, bëjini të votojnë PS ditën e zgjedhjeve, bëjini 10 veta nga familja juaj të shkojnë të votojnë për rrugën e duhur, rrugën e fëmijëve tanë. Thuajini njerëzve tuaj të zgjedhin njerëzit që dinë të bëjnë punë. Kërkojini të votojnë PS dhe të më mbështesin për ta bërë Shqipërinë shtet,” tha Rama.

  (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: