TIRANE- Një ditë më parë, Partia Socialiste publikoi listat me emrat e kandidatëve për deputetë në të gjitha qarqet e vendit, për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Ajo çka ra në sy, ishte fakti se pjesë e saj nuk ishin disa prej figurave kryesore të kësaj force politike.

Deputeti Namik Dokle ishte një prej emrave të PS që nuk është përshirë në listat e deputetëve për zgjedhjet e ardhshme.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Dokle thotë se pas 27 vitesh deputet, në vendin e tij do të ulet një deputet i ri. E fill pas kësaj vjen edhe një batutë, “Vetëm “aman” hajdut pulash të mos jetë!”.

Më tej deputeti Dokle shpreh mirënjohje për të gjithë ata që e kanë mbështetur, dhe jep 5 mesazhe për socialistët.

REAGIMI I PLOTE
27 VJET…

Pas 27 vjetëve, pas 8 legjislaturave të pandërprera në Kuvendin e Shqipërisë, në vendin tim do të ulet një deputet i ri. E uroj përzemërsisht, cilido qoftë! (Vetëm “aman” hajdut pulash të mos jetë!) Pas 27 vjetëve, nga zemra më buron…

MIRENJOHJE për ata mijëra socialistë dhe njerëz të mirë pa dokumente partiake, që më kanë pritur zemërhapur, kanë ecur e punuar bashkë me mua dhe, në disa raste, kanë vënë edhe jetën e tyre në rrezik për të më mbrojtur nga falanga idiote politike.

ADMIRIM për deputetët e Grupit Socialist të viteve 1992-1997, të papërsëritshëm në përkushtim dhe idealizëm, me të cilët sollëm për herë të parë Partinë Socialiste në pushtet.

NDJESE për gjithë ata njerëz me halle e vështirësi në jetë, të cilët nuk munda, apo nuk dita, apo edhe nuk më lanë t’i ndihmoja, kur kishin nevojë.

PERULJE dhe pendesë për ata pak individë që rrallë… shumë, shumë rrallë mund t’i kem lënduar.
FALJE për ata pak individë që më kanë lënduar, edhe pse lëndimi “nuk harrohet kurrë”!
Dhe… përqafime për ju miqtë e fejsbukut!

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb