SHKODER- Ashtu siç dihet tashmë, Shkodra njihet si bastion i të djathtëve, ndaj dhe kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje demokratëve të këtij qarku që të bashkojnë votat me PS në zgjedhjet e 18 qershorit.

Kreu i qeverisë pohoi se bashkë me votat e demokratëve do hiqen nga puna gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar.

“Ata që votojnë PD, ta pranojnë që partia që kanë votuar, ju mohoi mundësinë atyre, fëmijëve të tyre, që të jetojnë në një botë ku drejtësia është e barabartë për të gjithë. Si mundet që një sipërmarrës të pranojë që ata që udhëheqin PD, janë të lidhur si mishin me thojini, me gjykatat dhe vendimet e korruptuara të gjykatësve. Si mundet ata? Vota e 18 qershorit është shumë më tepër sesa një votë për PS. Unë s’u them atyre që të bëhen me PS. Bashkoni votën tuaj me tonën, që të heqim gjyqtarët dhe prokurorë e korruptuar. Të gjithë duken njësoj, ku i thonë njëri-tjetrin hajdut dhe kriminel. Thonë dhe përpiqen që t’ja u hedhin truve të gomarit se po u kthehemi në diktaturë se s’ka parlament po nuk ishte PD në Kuvend. Demokracia nuk është plaçkë që merret peng”, tha Rama.

Nga ana tjetër Rama tha se: “Këtu puna është që prej 27 vitesh PD qeveris Shkodrën. Prej 27 vitesh mer besimin e shumicës së shkodranëve si besim i dhënë gratis, e mer besimin duke luftuar me fantazmën e komunizimit, dhe përfitojnë nga një ndasi që e mban hapur për gjasme për të ndihmuar Shkodrën, por që e përdorin për të mbajtur pushtetin. Këtu në Shkodër, PD duhet të marrë ndëshkimin e merituar për të gjithë harresën. Demokracia është zgjedhe dhe në demokraci të gjithë mund të paraqiten në zgjedhje. PD vendosi të mos hyjë në zgjedhje, është zgjedhja e atyre që janë në krye të saj, dhe jo zgjedhja e demokratëve që shohin me sytë e tyre dhe jo me sytë e dylbive që shohin nga bunkeri”.

Rama këshilloi të rinjtë të mos i dëgjojnë deklaratat se nëse PD nuk hyn në zgjedhje nuk do të ketë integrim në BE.

“As mos i dëgjoni fare kur ju thonë se po s’erdhi PD-ja në zgjedhje ne nuk do hyjmë dot në BE. Ju i keni dëgjuar të gjithë miqtë, të gjithë partnerët e Shqipërisë dhe PD-së, se Shqipëria duhet të bëjë zgjedhje, të fillojë vettingun dhe Shqipëria do fillojë negociatat për në BE. Unë e di shumë mirë se në 3 vjet e gjysmë s’kemi bërë mrekullira, e di shumë mirë se ka njerëz që na kanë dhënë votën para 4 vjetësh dhe nuk kanë parë asnjë ndryshim ne fshatin ku janë, apo në lagjen ku janë, apo në ekonominë e tyre. E dimë shumë mirë se ka shumë më tepër për të bërë, për spitalet për shkollat, për familjet në nevojë. Por ama një gjë besoj se ne e treguam shumë mirë në këto 3 vjet e gjysmë qeverisje se ne jemi garancia se ky vend mund të bëhet shtet, se ne jemi garancia se në këtë vend ne mund të ndërtojmë shërbime dhe institucione të denja për një shtet dhe mbi këtë bazë ne do të vazhdojmë të ndërtojmë së bashku ngrehinën e Shqipërisë që duam”, tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria që kemi nuk krahasohet me atë të 3 vjet e gjysmë më parë.

“Sot isha në spitalin e Shkodrës, i cili nuk krahasohet me atë 3 vjet më para. Shqipëria që kemi nuk krahasohet me atë që kishim 3 vjet e gjysmë më para, e zhytur në borxh, në kolaps energjetik. Shqipëria që kemi është shumë më e mirë, por Shqipëria që duam është edhe shumë e shumë më e mirë sek jo që kemi.

Ndaj ne kemi vetëm një rrugë, nuk kemi dy. Rruga jonë është të shkojmë drejt 18 qershorit dhe të përqafojmë njeri-tjetrin si shqiptarë.

S‘ka njeri besoj që mes amanetit të Skënderbeut dhe llafeve të plakut dixhital zgjedh plakun dixhital. Nuk besoj që ka njeri që mes amanetit të Ismail Qemalit dhe republikës së re, zgjedh Republikën e Re. Ta shikojmë 18 qershorin me patriotizëm. Të jeni të bindur se ka vetëm një garanci për të bërë Shqipërinë që duam dhe kjo garanci është PS-ja”, deklaroi Rama nga Shkodra.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: