GJIROKASTER- Pas fitores së PS në qershor të 2013, Rama përmendi shpesh 1 milionë shuplakat ndaj qeverisjes së kaluar, që sipas tij e la vendin në rrënim. Po tashmë, kur edhe pak javë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, Rama thotë se kjo fitore nuk do të matet me vota, por me grushtet që do marrin gjykatësit e prokurorët e korruptuar.

Nga Gjirokastra ku ka zhvilluar një takim me votuesit për herë të para, kryeministri Rama është ndalur tek reforma në drejtësi, duke u shprehur se ky proces është themelor për të ardhmen e vendit.

“E dimë që kanë ende shumë për të bërë, pasi ka shumë pamundësi, varfëri, familje që mezi nxjerrin bukën e gojës. Në 3 vite e gjysmë ne kemi bërë sa kemi mundur, jo sa kemi dashur.

Na u desh të përmirësonim situatën në vend me piramidat e Saliut.

Saliu i parë ngriti ato piramidat e Xhaferit e Sudes e i zhyti të gjithë. E çoi Shqipërinë në çadër. Saliu i dytë ngriti kristalin, llamarrinat, vitrinat, xhamat, dhe tha këto janë universitete. E të gjithë të rinjtë i humbën paratë e kursimet e prindërve të tyre. E nga gjithë këto xhama, vitrina e llamarina, doli një milet juristësh. E sot jemi bërë gazi i botës me këto gjykata që e marrin pronën e kujtdo e ia japin dikujt që s’ka lidhje fare me zonën ku është prona. Vota e 18 qershorit nuk është njësoj si votat e tjera.

Kjo votë ka mundësinë për të marrë hak për të gjithë gjyshërit që u grabitën në pronat e tyre, për gjithë ato nëna që u veshën në të zeza nga humbja e fëmijëve për shkak të kriminelëve që prapë dolën rrugëve e vranë përsëri. Sepse paguhen gjykatësit. Për të marrë hak për gjithë ato vajza e gra që ranë pre e dhunës, përdhunuesve, etj. E këta dhunues dolën pa iu hyrë gjemb në këmbë, prapë sepse paguhen gjykatësit. Çështja nuk është sa vota do marrë PS, por sa grushte do marrin gjykatësit e prokurorët e korruptuar”, tha Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: