SHKODER- Pas rastit të Beratit, ku një e moshuar gjeti zgjidhje për problemin e saj për shkak të të cilit endej nga zyra në zyrë, është rritur numri i qytetarëve që i ankohen kryeministrit Rama. Në dëgjesën që kryeministri Rama ka zhvilluar paraditen e sotme me banorët e Shkodrës, disa prej tyre kanë ngritur shqetësimet që kanë me procesin e legalizimeve.

Fill pas ankesës së një qytetari për problemin që kishte me legalizimin e një kati të godinës në pronësi të tij, (kat i ndërtuar pa leje), kryeministri Rama e ka thirrur direkt për sqarim kreun e ALUZNI-t në Shkodër.

Pasi e ka dëgjuar qëndrimin e këtij të fundit, kryeministri Rama i ka kërkuar që ta zgjidhë problemin deri nesër në orën 16:00.

“Rastin e Maxhit Alibalit e njoh. Ai ka bërë një kat tjetër përveç asaj që ka bërë me leje. Problemi është se leja është e certifikuar, dhe në momentin që është marrë kjo leje nuk është kompetenca jonë të ndërhyjmë. Duke qenë në këto kushte, pra e certifikuar nga zyra e Legalizimit, ne nuk mund të ndërhyjmë, kjo i kalon për kompetencë rrugës gjyqësore. Ne përgjigje zyrtare i kemi kthyer qytetarit”, sqaroi kreu i ALUIZNI-t në Shkodër.

“Nga pikëpamja ligjore ka të drejtë, nuk mund të veproje mbi një pronë të regjistruar. Duhet të uleni të tre bashkë me drejtorin e Hipotekës, bëni një rishikim të letrave dhe mos e torturoni qytetari”, tha kryeministri.

Por fill pas kësaj ka filluar të ndërhyje qytetari, duke mos e lejuar kryeministrit të mbarojë fjalën e tij.

“Je kundër kësaj që po them unë tani? Ke ngrënë kolpo? Hiqjani mikrofonin se nuk ndalon”, tha kryeministri.

“Dëgjo drejtor, do t’ia zgjidhni këtë punë nesër. Nesër në ora 4 do më çosh mesazh, u zgjidh problemi”, tha kryeministri.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb