TIRANE– Kryeministri Edi Rama ka komentuar deklaratat e kryetarit të opozitës Lulzim Basha, dhe ish-kreut të LSI, Ilir Meta, për reformat e qeverisë. Gjatë takimit përmbyllës të fushatës elektorale në sheshin “Nënë Tereza”, Rama tha përpara mbështetësve të PS se ata që janë kundër reformës në arsim, por edhe reformave të tjera në vend, e bëjnë këtë pasi kanë humbur pushtetin.

“Për të gjithë ata që këndojnë këngën e kukuvajkave të mjerimit, lajmi që s’kam dashur kurrë të dëgjoj dhe që unë e përsëris është se Shqipëria ka më shumë biznese se 44 muaj më parë. Thirrini pak memories suaj. Dhe që i kanë ndjekur fushatat nga viti 1992. Çfarë ju kujtohet nga çdo fushatë.

Ju kujtohet se të gjitha partitë, në çdo fushatë për qeverinë, për bashkinë vijnë përpara jush dhe thonë: Kush e kush më shumë do t’i çojë taksat në tokë dhe shpenzimet në hava. Si ka mundësi që kjo recete nuk funksionoi kurrë. Si ka mundësi që e përsërisin të njëjtën recetë. Është ajo mundësi që ne socialistët e dimë dhe nuk mund ta neglizhojmë. Nuk ka ulje taksash dhe zhvillimesh.

Ata që janë kundër reformës në arsim, ka humbur pushtetin mbi shpirtrat e të rinjve. Ata nuk munden dot t’i sundojnë shpirtrat e të rinjve duke u dhënë kopjen provimeve. Dhe sot asnjë djalë politikani as një vajzë biznesmeni, nuk e parakalon dot vajzën e një fermeri në Dajt nëse i kanë pikët njësoj.

I keni dëgjuar kur thonë do ta përmbysim reformën në arsim, sepse është një reformë që favorizon privatët. I thonë partitë që mbanin në këmbë llamarinat”, tha Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: