FIER – I pranishëm sot në Fier për përfundimin e rikonstruktimit të parkut të Apollonisë, kryeministri Edi Rama tha se iu dha një fytyrë e re një trashëgimie të lënë në harresë.

Gjatë fjalës së tij kryeministri falënderoi Bashkimin Europian për investimin e bërë duke thënë se “më në fund ia dolëm që BE mos të financojë vetëm burgje dhe gjithë infrastrukturën e represionit shtetëror, por edhe atë të mirëqënies shpirtërore që sjell mirëqënie ekonomike”.

“Falë ndjeshmërisë dhe gadishmërisë së ambasadores së BE-së në Tiranë, Vlahutin e cila vjen nga një vend mik dhe fqinj si Kroacia. Ambasadorja ishte vërtet shumë e interesuar dhe krijoi mundësinë që ky projekt të ketë mbështetje financiare nga BE dhe më në fund ia dolëm që BE mos të financojë vetëm burgje dhe gjithë infrastrukturën e represionit shtetëror, por edhe atë të mirëqënies shpirtërore që sjell mirëqënie ekonomike.

Kërkimet dhe grabitjet bëheshin në ditën me diell, grabitje që dukeshin si kërkime ndërkohë që askush nuk e vinte ujin në zjarr. Në vitin 2010, një prej të përditshmeve evropiane e quante kështu këtë park: Janë ca shtylla druri që mbajnë një objekt të shkatërruar. Kur erdha këtu bashkë me ministren për një inspektim e dëgjova nga goja e priftit se çfarë ndodhte me kishën, që është një nga perlat e trashigimisë tonë kulturore.

Ndryshimet e 2013-s sollën ndryshimin e këtyre thesareve të mbetura në mëshirë të fatit, pjesë e të cilave edhe Apollonia. Në janar të 2016-s nisi projekti që sot është i përfunduar. Ky projekt që bazohet në financimin e Komisionit Europian është në fakt një ndërhyrje kuptimplotë, që i jep jetë këtij parku. Masterplani për parkun e Apollonisë.

Kompletimi i të gjithë këtij masterplani do të jetë edhe një shtysë e rëndësishme për më tutje dhe për rritjen e kapaciteteve njerëzore këtu në vend në funksion të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, në funksion të një rilindje të plotë të gjithë kësaj fushe ku për 20 e ca vite u bënë dëme të pallogaritshme.

Dua të nënvizoj domosdoshmërinë e vazhdimit të mëtejshëm në këtë drejtim dhe përpjekjes për të bërë një ndryshim në mendësinë e njerëzve që investimet në kulturë i shohin si në luks, si gjëra qejfi që nuk përkojnë me prioritetin e rritjes ekonomike. E kundërta është e vërtetë. njerëzit që turren të thonë se njerëzit nuk kanë bukë dhe ju merreni me monumente kulture duhet të kuptojnë se çdo monument kulture i restauruar është rritje ekonomike dhe rritje e mirëqenies.

Sa do e sforcuar mund të duket për këtë ditë, në fakt nuk është aspak e tillë që ne jemi ende në beteja surreale për të shpëtuar trashëgiminë kulturore nga duart e gjykatësve të korruptuar. Se në jo pak raste trashëgimia kulturore është shnëdrruar në një plaçkë në duart e qeverisë së kaluar,” tha Rama.

(e.f/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb