Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ta bëjë nga bregdeti komunikimin javor në faqen e tij të “Facebook” dhe ia ka kushtuar turizmit.

Ai premtoi dhjetëra projekte ambicioze në mandatin e dytë, nga veriu në jug. Rama deklaroi se zhvillimi i turizmit, do t’i shërbejë punësimit por edhe rritjes së përqindjes së PBB në mandatin e dytë.

Kryeministri theksoi se programi për rindërtim do injektojë një shumë të konsiderueshme paraje dhe do krijojë mijëra vende pune. Sipas tij, kontributi i turizmit në ekonomi çmohet në 267 mijë vende pune. E Rama tha se në sektorin e turizmit nuk keni parë asgjë akoma!

“Po shihja sot që herët në mëngjes, një raport për turizmin. Vitin e shkuar numri i shtetasve të huaj që kanë vizituar vendin tonë është 4 milionë e 735 mijë. 15% më shumë se një vit më parë. Këtë vit pritet një tjetër rritje e konsiderueshme por mandatin e ri do të konkretizojmë besoj disa hapa për të cilat po mendoj prej kohësh që të shkojmë në një fazë të re. Fillimisht duke ndërtuar kapacitetet me 5 yjë dhe paralelisht duke vijuar zbatimin e mëtejshëm të programit kombëtar të Rilindjes Urbane.

Për sezonin e ardhshëm do të ketë përfunduar realizimi i projekteve të Himarës, Vunoit, Jalës, Dhërmiut të Vjetër dhe plazhit poshtë në Dhërmi, ndërkohë që do të përgatiten projektet për zonën e Golemit, Spillesë, Velipojës, Liqenit të Shkodrës, Vermoshit, Dumresë, Radhimës, Kurveleshit, Frashërit e çdo qarku të Shqipërisë. Rilindja Urbane do të shtrihet fillimisht si zbulim i potencialeve turistike. Tani më ka ardhur koha që me qeverisjen pa koalicion të krijohet mundësia që të ngremë një program kombëtar të Rilindjes rurale që do të jetë komplementar me atë të Rilindjes urbane dhe do të mbështesim mëkëmbjen e infrastrukturës në bazë të prodhimit bujqësor, blegtoral dhe zhvillimin e agroturizmit në hapësirat rurale të bashkive të reja.

BSH thotë se Shqipëria fitoi vjet nga turizmi 1 mld e 528 milionë euro ose 13% më shumë se një vit më parë. Por potenciali është për të rritur këto të ardhura mbi 1 mld të tjera në 4 vitet e ardhshme. Rruga e Arbrit që nis më në fund brenda kësaj vjeshte si projekti i parë i programit 1 mld për rindërtim do të krijojë kushte që në hartën e turizmit rural të hyjë edhe zona e Dibrës që afrohet shumë me Tiranën. Me këtë program do të financojmë edhe një rindërtim spektakolar në funksion të turizmit të rrugës nga Uji i Ftohtë në Radhimë, Oriku, Llogara, Himarë ku segmentet rrugore të fshatrave të rilindur të Jonit do të kthehen në pedonale përmes ndërtimit të urave panoramike për makinat”, tha kryeministri.

“Do të financojmë po ashtu rrugën e re Delvinë-Kardhiq dhe rrugën Kurvelesh-Himarë për të integruar qarqet Vlorë e Gjirokastrës në funksion të zgjerimit të hartës turistike të jugut dhe të një stimulimi të fortë të turizmit rural e kulturor. Do të financojmë rrugën e re Milot-Lezhë, duke anashkaluar kthesën e sotme si qorre në Shkodër si dhe segmentin lidhës Shëngjin-Velipojë që do të nxis fort zhvillimin turistik në vijën e sipërme bregdetare të Adriatikut. Do të financojmë ndërtimin e rrugës së Thethit që bashkë me përfundimin e rrugës turistike të Velipojës që sapo e kemi nisur do të integrojnë me standarde evropiane hartën turistike të Shkodrës së bukur. Do të financojmë po ashtu edhe akse të tjera strategjike për ekonominë, e për turizmin në çdo qark të Shqipërisë.
Mos harroni se programi “1 mld për rindërtim” jo vetëm do të injektojë në ekonomi një volum të konsiderueshëm paraje duke na ndihmuar të arrijmë objektivin tonë të kapërcimit të rritjes ekonomike të vendit në 4 vitet e ardhshme, mbi 5% por dhe do të krijojë dhjetëra, mijëra vende të reja pune.

Kontributi i përgjithshëm i turizmit në punësim, direkt dhe indirekt thotë raporti çmohet në 267 mijë vende pune në 2016-ën, ndërsa në Prodhimin tonë të Përgjithshëm Kombëtar, kontributi është afërsisht 7%. Ama të dyja këto shifra janë larg potencialit fantastik të vendit tonë dhe kam shumë besim se falë zhvillimit të turizmit, qoftë punësimi qoftë përqindja e kontributit në prodhimin e përgjithshëm kombëtar do të rriten ndjeshëm gjatë mandatit tonë të dytë. Një tjetër gjë interesante janë fluturimet charter që arritën në 116 verën e shkuar që krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë përbëjnë një rritje 100%, por ama në vlerë absolute shifra është qesharake krahasuar me potencialin e Shqipërisë.

Kam bindjen e plotë se ndërtimi gjatë 4 viteve të ardhshme i aeroportit të ri Kombëtar të Vlorës dhe i aeroportit turistik të Sarandës së bashku me ngritjen së shpejti dhe rritjen e qëndrueshme vit pas viti të linjës ajrore shqiptare është rruga e duhur për t’i shumëfishuar fluturimet turistike të Shqipërisë si dhe për të ulur përmes një konkurrence të shëndetshme, tarifat e papranueshme të aeroportit të Rinasit dhe po ashtu çmimet shumë të ekzagjeruara të biletave të avionëve që ulen në vendin tonë dhe për të cilat të gjithë qytetarët ankohen.

Por nëse krocierat dhe jahtet që u ankoruan në Shqipëri gjatë vitit 2016, ishin 923 nga 713 më parë, edhe kjo shifër mbetet një shifër qesharake për potencialin e jashtëzakonshëm të vendit tonë. Prandaj zgjerimi i portit ekzistues të Vlorës dhe rindërtimi i porteve të reja turistike nga Velipoja në Sarandë do të jetë një tjetër prioritet në rrugën tonë për turizmin në Shqipërinë që duam.

Turizmi kulturor që falë Rilindjes urbane i ka bërë më të vizitueshme monumentet e kulturës, parket arkeologjike apo edhe muzetë, kaloi vitin e shkuar mbi gjysmë milioni vizitorë duke shënuar një rritje të të ardhurave në masën 20%, krahasuar me një vit më parë. Por, edhe në këtë drejtim potenciali është shumë herë më i madh. Kështu që pavarësisht çfarë thonë cinikët apo të paditurit për shpenzimet e bëra për ndërtime apo rindërtimesh muzesh apo operacione shpëtimi të thesareve të trashëgimisë sonë kulturore ne do të vijojmë të projektojmë dhe të financojmë dhe shumë më shumë në këtë drejtim në 4 vitet që vijnë. Duke nisur nga Muzeu Historik Kombëtar, nga Piramida në Tiranë që do ndryshojnë rrënjësisht për të vazhduar me të tjera projekte të kësaj fushe që e fuqizojnë turizmin kulturor në çdo qark të Shqipërisë. Frymëmarrja e plotë që na jep mandati i ardhshëm qeverisës ose timoni pa të tjerë në prehër për të vazhduar shumë më shpejt drejt Shqipërisë që duam në çdo drejtim do të na çojë dhe jam absolutisht i sigurt në një pikë deri sot të pamundur në rrugën e së ardhmes. Dhe tani ia uroj jo pa zili pushime më të mbarat të gjithë atyre që i kanë nisur tashmë dhe iu siguroj të gjithëve se në sektorin e turizmit vërtetë nuk keni parë asgjë akoma”, deklaroi Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: