Nga: Andi BUSHATI
TIRANE-Përmes një analize, Andi Bushati bën një përmbledhje të qeverisjes së kryeministrit Edi Rama në këtë 4 vjeçar, por edhe mënyrën se si po bën fushatë aktualisht. Andi Bushati e nis analizën e tij që nga veshja e Ramës me atlete e tuta sportive në fillimet e veta deri tek akuzat dhe batutat për kundërshtarët. Bushati thotë se Edi Rama i ngjan një fëmije të llastuar.

ANALIZA:
Kur Edi Rama doli fillimisht në fushatë, i veshur me atlete dhe tuta sportive shumëkush e mori këtë si kapriçon e një fëmije që përplas këmbët në dysheme pasi nuk do të shkojë në shkollë me uniformë. Por heqja dorë nga veshja formale e këtij aktori për të cilin dukja është gjithçka dhe qëllimi asgjë, nuk qe surpriza e vetme.

Ajo ishte vetëm prologu i një gare gjatë së cilës ai po sillet si një fëmijë i llastuar dhe i papërgjegjshëm.

Ai po bredh ngado nëpër Shqipëri duke përsëritur me ngulm se megjithëse nuk di t’i japë makinës, populli duhet t’i lërë në dorë timonin.

Ai nuk po rresht së bëri gallatë me djalin e mirë Lulzim që duhet të vazhdojë të flerë gjumë.

Ai po luan të habiturin me kundërreagimet e LSI-së, (siç bëri këtë fundjavë në Vorë) pasi u ka thënë hajdutë që kanë zhvatur tepsinë në hipoteka, patenta, legalizime: “Po ç‘kanë, unë flas për shtetin, jo për ta” thotë herë pas here si një fëmijë tinzar që hedh gurin dhe fsheh dorën.

Po të njëjtën lojë luan dhe me gazetarët që tashmë i ka etiketuar si pjesë të kazanit. I përgojon se marrin pagesa okulte, i shigjeton se i shesin mendimet e tyre dhe pastaj nxiton të shtojë se ai nuk e ka presonale. Sesi nuk mund të mos e kesh edhe personale me dikë që është i korruptuar dhe shpif për shkak të kësaj, vetëm Edi Rama mund ta thotë.

Por, burri i llastuar që kërkon vota nuk ndalet as me kaq. Ai e ka shndërruar fushatën në një garë humori, sikur po konkuron për jo për kryeministër, por për aktor kryesor të Portokallisë. Prandaj audiencat televizive më të mira të këtij qershori i ka pasur në emisionet ku ka bërë gallatë. Aty ku është sjellë si klloun dhe jo si shtetar.

Këtë sjellje të çuditshme elektorale gjithkush mund ta interpretojë me mënyrën e tij. Mjeshtrat e komunikimit mund të flasin për një strategji të qëllimshme ku dukja mbulon thelbin. Mjekët psikologë mund të dignostikojnë patologji të rrezikshme që kanë në bazë mohimin e realitetit.

Ata që i rinë pranë, gratë e rilindjes që e krahasojnë me Skënderbeun, që konsiderojnë si brandin që ndreon Shqipërinë në botë, apo si një artist të madh europian, mund të flenë të qeta se ai shikon më larg dhe po bën gjënë e duhur.

Por, pavarësisht nga të gjitha këto pandehma, një gjë është e qartë. Akrobacitë e kryeministrit nuk po ndalen për një shkak: Për faktin e thjeshtë se ai po mbyll një katërvjeçar pa bilanc.

Edi Rama po sillet herë si fëmijë i llastuar dhe herë si klloun në tentativë pasi nuk do të përballet me dështimin e tij.

Ai nuk ka gojë të flasë sot për 300 mijë vendet e punës të premtuara. Ai nuk mundet të justifikohet se pse nuk e uli TVSH e premtuar të produkteve ushqimore. Ai nuk guxon të përballet me faktin se nuk i solli vendit asnjë investitor të madh të huaj.

Ai do ta anshkalojë kanabizimin e Shqipërisë.

Por ka edhe të tjera.

Ai premtoi katër vite më parë se do t’i anullonte koncesionet e Berishës. Nuk bëri asgjë veçse shtoi të tjera edhe më skandaloze.

Ai premtoi se do t’i mbyllte lojrat e fatit në qendrat e banuara. Gënjeu paturpësisht dhe tha se partia nuk iu bind në këtë betejë kundër bixhozit.

Ai deklaroi se do të ishte i kapur nga mafia, nëse një ditë do të tentonte të importonte plehra në Shqipëri. Po të mos t’a kishin ndalur Nishani dhe më pas Meta, sot do ti kishte në xhep paratë e mbetjeve.

Ai tha në fund se shteti është përgjegjësi dhe nuk i jepet si bonus protestuesve të çadrës, por më pas për të ruajtur kolltukun, i dorzoi të gjitha drejtoritë ku bëheshin lekë.

Vetëm pasi ke numëruar këtë listë të gjatë e ke më të lehtë të kuptosh se pse Edi Rama po i shmanget këtë herë një gare normale. Se pse ai ka dalë në fushë me tuta dhe atlete, se pse thotë gjithçka për të mos thënë asgjë, se pse bën gallatë me rivalët dhe gazetarët kritikë.

Vetëm pasi ke bërë këtë bilanc e kupton se përse ai ngjan aq shumë me atë fëmijën tekanoz, që bën gjithçka për të rëmbyer lodrën që nuk i takon. Atë lodrën që gjendet e kyçur brenda zyrës me flutura dhe pa të cilën ai nuk jeton dot./Lapsi.al.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: