TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu ka reaguar pas veprimit të kryeministrit Edi Rama dhe deklaratave të tij dhënë mbrëmë në emisionit “Të paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi në News24.

Në një status në “Facebook” Shehu shkruan se Rama tregoi mbrëmë se nuk ka kuptuar asgjë në lidhje me reformën shëndetësore ose spekulon. Ai thotë se pincetat kirurgjikale apo bisturitë mund të ishin argumente midis kryeinfermiereve, ndërsa sipas tij qendra e sterilizimit e përfunduar para mandatit të kësaj qeveri iu kaluar një grupi provat, duke krijuar monopol kombëtar.

STATUSI I TRITAN SHEHUT
Z. Rama mbrëmë tregoi se kjo qeverisje akoma nuk ka kuptuar asgjë në lidhje me reformën shëndetësore (në fakt edhe më gjerë, për reformat në tërësi)!
Ose vazhdojnë të spekulojnë për të “mbuluar diellin me shoshë”!
Kryeministri “armën” më të fortë për pozitivitetin në tërësi të qeverisjes së tij katër vjeçare, e bazoi te ndonjë pincetë kirurgjikale apo bisturi!!
Këto mund të ishin argumente të një debati midis kryeinfermiereve të Sallave Kirurgjikale apo të niveleve teknike të tjerë!
Shterpësi ekstreme argumentesh jo vetëm për politikat shëndetësore, por dhe për vizionet e zhvillimit te vendit!!
Z.Rama nuk tha asgjë për politikat shëndetësore, financimet e sistemit shëndetësor, konceptet zhvilluese spital-ndërmarrje, bazat mbi të cilat do mbështetet kujdesi parësor, farmaceutika, stomatologjia etj etj.
“Shëndetësinë falas” e kishte harruar krejtësisht!
Foli vetëm për instrumente kirurgjikale, por dhe për këtu pa thënë se për përpunimin e tyre Qendra Moderne e Sterilizimit e përfunduar para mandatit te Rilindjes, iu kalua një grupi privat duke krijuar një monopol kombëtar, duke e paguar atë deri ne 100 M Euro për 10 vite, duke cenuar autonominë spitalore në vendimmarrje etj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb