Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar punën e Policisë së Shtetit në luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe goditjes së grupeve kriminale që kanë bërë sasi të mëdha parash nga trafikimi i tij.

Të mbledhur në Zyrën Operacionale të Situatës për raportin e Task-Forcës, kreu i qeverisë tha se Shqipëria duhet të shpëtojë një herë e mirë nga ajo që ai e quan “njolla jeshile e turpit”.

“Deri sa të arrijmë të plotësojmë ashtu si e kemi vendosur këtë objektiv për nga pikëpamja e pastrimit të territorit nga kultivuesit e kanabisit, ana tjetër e medaljes është e gjitha për t’u parë deri në fund, në kuptimin e evidentimit, ndalimit dhe ndëshkimit të elementëve kriminalë që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shuma të mëdha parash dhe që posedojnë asete kriminale. Po ashtu besoj se Policia e Shtetit meriton vlerëson të posaçëm që pavarësisht ngarkesës së shtuar nga fluksi i madh i turistëve por dhe fenomeni i zjarreve nuk ka pasur asnjë cedim në frontin e luftës kundër drogës. Është e qartë që pavarësisht nga përpjekja e policisë së Shtetit ka ende autoritete vendore që nuk janë shfaqur në lartësinë e sfidës.

Nuk është sfidë vetëm e policisë por e të gjithë strukturave. Mjafton që këta elementë shumë shqetësues për komunitet, për rendin e sigurinë, që reflektojnë pandëshkueshmërinë e gjatë gjithë këtyre viteve, të eliminohen. Nuk duhet pastruar Shqipëria vetëm nga kanabisi, por edhe nga kriminelët që kërcënojnë jetën e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Suksesi i qartë që po shihet, dhe njolla jeshile e turpit që po hiqet, tregojnë vullnetin e hekurt të policisë shtetit, dhe partneritetin e mirë me autoritetet italiane.

Është koha ta pastrojmë Shqipërinë jo vetëm nga kanabisi por edhe nga këto mikrobe të gjalla që kërcënojnë sigurinë e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Policia ka informacionin e duhur, ka emra, bëma, lidhje, lëvizje të këtyre lloj mikrobeve që të bëjnë të mundur operacionin super të suksesshëm në këtë drejtim për t’i dhënë një mesazh njerëzve të këtij vendi se koha kur shteti ishte vetëm një aleternative e sigurisë së tyre ka ikur,” tha Rama.

Kryeministri gjithashtu paralajmëroi goditjen e zyrtarëve të policisë të përfshirë në akte të paligjshme.

“Të goditen elementet brenda policisë së shtetit që janë të lidhur dhe të nënshtruar ndaj këtyre elementeve. Ndaj feudalëve që shqetësojnë jetën komunitare duke mbajtur me vete pasaportën e zymte të veprave kriminale dhe duke qene hije për njerëzit e këtij vendi,” u shpreh kreu i qeverisë.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: