DURRES – Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm ditën e sotme në fshatin Manëz në Durrës në një takim me fermerët e zonës. Përveçse ftoi qytetarët të vizitonin “atë copëz të vogël të Shqipërisë”, para fermerëve kreu i qeverisë foli edhe për procesin e Vettingut i cili u votua ditën e djeshme në seancën e jashtëzakonshme në parlament.

Rama, tha se Reforma në Drejtësi  është operacioni më i rëndë që është bërë në trupin e shtetit shqiptar, se e çon thikën deri në palcë dhe do pastrojë të gjithë metastazat e kancerit në sistem.

Kryeministri tregoi se arsyeja se pse votimi i Vettingut ishte vonuar kaq shumë ishte për shkak të mungesës së opozitës në parlament.

“Këtu, mos humbni rastin për të ardhur dhe për të parë se do ndiheni të frymëzuar dhe krenarë që në një copëz të vogël Shqipërie, do gjeni çdo gjë që gjehet në agro-turizëm dhe jashtë vendit. Jemi pranë një momenti historik, zhbllokimit të vettingut, që aq shumë e deshëm dhe luftuan.

E vërteta është që Vettingu nuk fillonte se PD kishte ikur nga parlamenti, dhe natyrisht rifillimi i jetës parlamentare vinte vetëm nëse PD do vinte në parlament e do bënte atë që bëri, se kishte penguar fillimin e punës së komisioneve të Vettingut. Kur pallati i drejtësisë të kapë gjykatësit e korruptuar, atëherë do vijë drejtësia, do marrin ndëshkimin e merituar.

Kjo është reforma në drejtësi. Ne kemi ardhur për të operuar dhe shëruar, dhe jo për ta kaluar krizën diku tjetër. Reforma në drejtësi është operacioni më i rëndë që është bërë në trupin e shtetit shqiptar, se e çon thikën deri në palcë dhe do pastrojë të gjithë metastazat e kancerit në sistem,” tha Rama.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: