TIRANË- Kryeministri Edi Rama nuk harron t’i përshëndesë ndjekësit e tij çdo mëngjes. Këtë radhë ai ka zgjedhur një video të veçantë që tregon transformimin e pikturës së famshme “Zoja e Shkodrës”, ose sipas kreut të qeverisë rilindjen rrëqethëse të saj.

Rama thotë se kjo kryevepër i mbijetoi përndjekjes së regjimit komunist dhe harresës për 25 vite të tjera të institucioneve dhe se së shpejti do të shfaqet në Katedralen e Shkodrës.

“Mirëmëngjes ? dhe ju uroj një fundjavë të mbarë me këtë video të punës mbresëlënëse për restaurimin e pikturës së famshme të gojëdhënave të bukura “Zoja e Shkodrës”.
Ia vlen ta shihni çfarë rilindjeje rrëqethëse!
Kjo kryevepër që i mbijetoi për habinë e një mrekullie përndjekjes së regjimit komunist, u përndoq për së dyti 25 vjet me radhë prej harresës së institucioneve që deri 3 vjet e gjysmë më parë, i lanë pasuritë e paçmueshme të thesarit të kulturës sonë në harresën e një shpërfilljeje rrënuese.
Por më 25 prill, në 550-vjetorin e ditës qëkur ikona e parë e Pajtores së Shqipërisë u përcoll mrekullisht nga Shkodra drejt Genazzano-s në Itali, ku ndodhet edhe sot, kjo kryevepër e 1800-ës do të rishfaqet e rilindur në Katedralen e Shkodrës, falë bashkëpunimit të Ministrisë së Kulturës me laboratorët e ekselencës së institutit Palazzo Spinelli në Firence”, shkruan kryeministri Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb