LUSHNJE– Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takimin e radhës elektoral në Lushnjë. Në fjalën e tij Rama tha se PS nuk është njësoj me forcat e tjera politike, duke renditur arritjet e qeverisë së tij në këto 4 vite. Rama u shpreh se ata që mendojnë se të gjithë janë njësoj bëjnë gabim të madh.

Duke iu referuar ndryshimeve dhe transformimit të policisë ne qeverisjen e tij, Rama tha se sikur të gjithë të ishin njësoj sot nuk do kishte fara kungulli nëpër dyqane se do i kishin ngrënë policët.

“Kushdo që mendon e vota nuk ka vlerë dhe së të gjithë janë njësoj, bën gabim të madh. Nëse të gjithë të ishin njësoj, edhe Lushnja e Divjaka do ishin njësoj si 44 muaj më parë. Sikur të gjithë të ishin njësoj sot nuk do kishte fara kungulli nëpër dyqane se do i kishin ngrënë policët. Sikur të gjithë do ishim njësoj, Shqipëria nuk do kishte dalë nga gropa e borxheve që zhyti Saliu. Sikur të gjithë të ishin njësoj, sot pastruesja e kryeministrit do paguante më shumë taksa se kryeministri. Sot kush fito më pak paguan më pak dhe kush fiton më shumë paguan më shumë”-tha Rama.

Mes të tjerash Rama u bëri thirrje qytetarëve të Lushnjës që të votojnë për flamurin kuq e zi në 25 qershor, për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

“Një gjë të keni të qartë, fëmijët nuk votojnë. Por ata që votojnë duhet të mendojnë për fëmijët. Doni nga ata që ju japin kopjet e provimeve? Ndaj, në 25 qershor zgjidhni ose flamurin e Ismail Qemalit, flamurin e njerëzve të punës, e atyre që u persekutuan për idenë e tyre. O ngriheni këtë flamur në 25 qershor të bashkuar, o vazhdoni të ndarë tufa tufa, dhe vazhdoni që ngrini flamujt e partive, që flasin gjithë ditën për ju dhe natën mendojnë për veten. Ose ky flamur do valëvitet në BE, ose merrni flamurin e Lulit, Petrit dhe nxirrjani sytë njeri-tjetrit.”, pohoi ai.

Nga ana tjetër kryeministri tha se PD nuk vendosi asnjë emër gruaje në krye të listave për deputete në këto zgjedhje, duke i diskriminuar kështu ato.

“Rroftë Lushnja, rroftë Divjaka, rrofshin gratë dhe vajzat e gjithë kësaj zone të mrekullueshme, të cilave u them se nëse burrat dhe djemtë mund të vazhdojnë ta dredhin bishtin duke u marrë me llafe në kafene, ju gratë keni arsye që të bashkohemi bashkë, pasi PD nuk ka vënë asnjë grua, asnjë vajzë për të përfaqësuar këtë qark. I ka lënë gratë dhe vajzat në fund të liste, siç i linin dikur gratë, në fund të oborrin dhe vetë hanin mish derri dhe pinin raki. Kush diskriminon gratë dhe vajzat nuk fiton asnjë votë. Fitore. Ngrijeni flamurin kuq e zi që ta shoh gjithë Shqipëria”, tha Rama.
(d.d/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: