TIRANE- Kryeministri Edi Rama i rikthehet projektit të vjetër, atij të ndërtimit të Teatrit Kombëtar. I pranishëm në prezantimin e projektit të ndërtimit të qendrës multifunksionale teatrale në Tiranë, kryeministri Rama thotë se mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, ky projekt do mund të bëhet realitet

“Rindërtimi i teatrit do të bëhet me standarde evropiane. Teatri do pajiset me të gjitha instrumentat. U pengua rindërtimi i tij, por ne do bashkëpunojmë me Bashkinë e Tiranës dhe faktorë të tjerë për të pasur një teatër me standarde bashkëkohore. Është koha për të rindërtuar edhe Teatrin Kombëtar, që është në një vend kyç, është mirë që të mbetet aty, por duke u zhveshur nga paragjykimet e të shkuarës, që e penguan ndërtimin e tij me kohë e me vak. Ëndrra për të pasur më në fund një tetar me të gjitha parametrat me standarde bashkëkohore do të bëhet realitet.” tha Rama

Kryeminsitri Edi Rama i përgjigjet edhe kritikëve, kur thotë se në vendet ku nuk ka jetë kulturore as sociale, nuk ka as bukë.

“Ka shumë njerëz që me dashje apo pa dashje harrojnë vlerën e madhe që kanë këto investime, reagojnë ndaj këtyre projekteve, duke thënë ne s’kemi buke, ç’na duhet teatri, muzeu, stadiumi? Por e vërteta është se në asnjë vend ku nuk ka teatër, muze stadium, ku nuk ka jetë kulturore as sociale nuk ka as bukë… Nëse është buka që sjell artin apo arti që sjell bukën s’ka asnjë dyshim që investimet në art apo kulturë janë patjetër investime edhe në ekonomi, mirëqënie, jo vetëm shpirtërore por edhe materiale. Të thuash t’i lënë të gjitha këto se ka njerëz që mezi ia dalin të sigurojnë bukën e gojës do të thotë që ata njerëz t’i lësh për jetë të jetëve në atë gjendje dhe të mos kesh ambicien që ata të dalin nga ajo gjendje, patjetër duhet investuar më shumë në art e kulturë”.

Ndërsa aktorët i ftoi të zbatonin porosinë e të madhit Kadri Roshi. “Një artist nëse nuk bëhet me pluhur nuk bëhet artist”,-thoshte Roshi.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb