TIRANE– Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me gratë dhe vajzat në qytetin e Durrësit. Rama u shpreh se nëse votojnë vetëm gratë në 25 qershor, Partia Socialiste shkon në 91 deputetë, pasi sipas tij 65% e grave në Shqipëri votojnë për PS. Ai tha se burrat e duan shtetin për të tjerët, jo për vete.

“Nëse votojnë vetëm gratë, PS shkon në 91 deputetë në 25 qershor. 65% e grave në vend votojnë për Partinë Socialiste. Burrat thonë duam shtet, por e duan për të tjerët dhe jo për vete. Unë besoj se ne kemi të drejtë tju themi grave dhe vajzave që të votojnë PS, sepse këtu nuk është në lojë fati i partive, por fati i Shqipërisë. Lulin dhe PD i keni dhe nuk i bëni asnjë dëm që ata të rrinë në opozitë. Më mirë me ne”- tha Rama.

Ndër të tjera kryeministri Rama përmendi arritjet gjatë këtij mandati duke thënë se ai di të bëjë shtet, ndërsa të tjerët të shkatërrojnë atë.

“Ne kemi ende shumë për të bërë dhe kemi vënë bazën. Sikur paratë që janë shpenzuar për ujësjellës në çerek shekulli të ishin përdorur me mend do ishin ndërtuar ujësjellësit e Shqipërisë. Sot ka ende zona që nuk kane ujë. Në 2013 Shqipëria kishte vetëm 120 mijë kanale kulluese, ndërsa sot janë 220 mijë hektar tokë bujqësore që ujitet. Është ulur importi sepse është rritur prodhimi vendas. Këtyre jepu një kanal po nuk ta bllokuan për një dimër. Jam i bindur se ne nuk mund t’i themi njerëzve se ne mund të bëjmë çudira, por një provë ua kemi dhënë. Ne dimë të bëjmë shtet, kurse ata dinë të shkatërrojnë shtetin. Dhe për të bërë shtetin na duhet vota”-u shpreh Rama.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: