TIRANË- Në një takim me gratë e qarkut të Korçës, kryeministri Edi Rama deklaroi se me marrëveshjen e arritur dje me kreun e PD-së Lulzim Basha u fitua edhe një betejë të pamundur, siç ishte votimi i vettingut.

“E kam përsëritur deri në bezdi se vettingu është çelësi që hap derën e një Shqipërie të re, që gjithçka kemi bërë të mos kthehet mbrapsht. Nëse nuk bëjmë reforma në drejtësi nëse nuk kemi gjykatën që është mbi të gjithë, nëse jem të drejtën dhe nuk e nxjerr atë në shitje ne kthehemi mbrapa. Me atë marrëveshje kemi fituar betejën më të pamundur të këtij mandati”,- tha Rama.

E duke folur për gjyqtarët e korruptuar, që sipas kryeministrit i kanë orët e numëruara, nuk nguroi të fajësonte ish-kryeministrin Sal Berisha për kursin e famshëm të Plepave.

“Saliu i bëri të gjithë me Juridik, i futi tek Plepat, iu dhanë ca leksione të shpejta, dhe erdhën nëpër gjykata. U bënë gjykatat pazar. Dhe kjo është pjesa e rëndë. Në gjykata nuk ishte si me pushtetin, pushteti u ndaj. Tek drejtësia e hanin të gjithë aty s’ka parti, u fute aty do shkosh përpara tek ai që të mat kokën më pe, të vë çmimin si tek kasapi, si tek bulmeti. Kështu u bë vendi lesh e li. Pronat që u bënë çorap për çerek shekulli. Të drejtat e njerëzve që u futën në konflikte kemi 8 mijë konflikte me pasoja fizike”,- tha Rama.

Kryeministri shtoi ndër të tjera se ndonëse marrëveshja me PD-në u arrit, nuk mund të mohonte se “ata u futën në çadër se kishin frikë nga vettingu”.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb