BERAT– Kryeministri Edi Rama ka ftuar sërish qytetarët që t’i bashkohen platformës për qeverisjen e vendit. Nga qyteti i Beratit ku ka vijuar dëgjesat pas fitores në zgjedhjet e 25 qershorit, Rama tha se çdokush që dëshiron mund të bëhet pjesë e koalicionit të hapur për të patur akses në procesin e vendimmarrjes.
Rama tha se vetëm në këtë mënyrë qytetarët mund të shprehin shqetësimet e tyre, dhe të denoncojmë mungesën e shërbimeve.

Sipas kryeministrit çdo qytetar mund të ndjekë punën që bën administrata, duke u shprehur edhe njëherë se çdo punonjës duhet të bëjë detyrën e tij.

“Platforma jonë do të jetë e hapur për njerëzit me krijimin e qeverisë së re. Aty do të ftojmë këdo që do të bëhet pjesë i koalicionit të hapur. Ata që duan të bëhen anëtare të koalicionit mund të regjistrohen dhe të kenë akses në procesin e vendimmarrjes, realisht, sipas sektorëve ku janë të interesuar. Unë e kam ndjekur aventurën e vajzës që dëgjuat. Ne kemi mbështetur sa kemi patur mundësinë e këtij aktiviteti rafting, nga hiçi. Është një nismë që ka përfitime të mëdha, për komunitetin, për imazhin e Shqipërisë, e me radhë.

Nëse ajo dhe shumë të tjerë që janë të interesuar në turizmin e aventurës do të regjistrohen në këtë platformë dhe do të japin mendime e tyre në të gjitha rastet kur bëhet një ligj, apo merret një vendim apo masë në shërbim të turizmit, çdo veprim do të ishte më i vlefshëm. Atëherë do ta kuptojnë drejtorët se janë të rrezikuar në çdo rast kur nuk bëjnë punën. Se nuk duhet të jesh vetëm mik i Nardit, për të ndërhyrë, por çdo kush mund të bëjë kërkesat e tij. pas ekranit do të jetë një armatë e tërë njerëzisht që do ndjekin një për një shqetësimet e qytetarëve, dhe do t’i verifikojnë të gjitha. Se mund të ndodhë edhe që të ketë të drejtë zyra. Do e shoqërojmë këtë edhe me masa në ligj.

Do të bashkëqeverisim. Do të dëgjohet zëri juaj. Unë e di që uji i pijshëm është një problem shumë i madh. Po të marrim në letra shifrat që janë harxhuar në këtë drejtim, do të kuptoni se do të ishte bërë shumë më shumë.

Përsa i përket sektorit të bujqësisë jemi të vetëdijshëm se duhet reformuar plotësisht. Edhe pse deri më tani është bërë punë”, u shpreh kryeministri Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: