TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka thumbuar ish-kryeministrin Sali Berisha për çadrën e protestës të ngritur poshtë Kryeministrisë. Gjatë një takimi me të rinjtë e Tiranës, të cilët votojnë për herë të parë, Rama tha se çadra do të jetë fundi i jetës politike të Berishës.

“E mor Sali, e ka mirë Saimiri. Hyri Saimiri në PS, ti ishe në pushtet. U bë baba Saimiri, ti prapë në pushtet. U lindën këta që votojnë tani për herë të parë, ti do prapë pushtet. Por nuk ka më Sali. E fillove luftën për ta bërë Shqipërinë me çadra si Zvicra. Do ta mbyllesh jetën politike aty te çadra”, tha Rama.

Sakaq, ai i është drejtuar edhe kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, duke u shprehur se nëse nuk marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, qytetarët do të zgjedhin alternativa të tjera.

“Ti Luli dhe gjithë ju të tjerët, ta dini se Shqipëria do bëhet shtet, në Shqipëri do të ketë drejtësi, dhe në Shqipëri më në fund, drejtësia nuk do të jetë si Pazari i Lulit, por si Pazari i Lali Erit, ku ka vend për të gjithë. Nëse ti s’voton, ka plot të tjera. Mos u paraqit te tezga me Lulin, se ka plot tezga të tjera”, tha Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb