VLORË- Pas Durrësit e Kukësit, kryeministri Edi Rama ka takuar sot nga afër të rinjtë që votojnë për herë të parë në Vlorë, aty ku nuk e ka fshehur shqetësimin për një opozitë që zgjedh rrugën e bllokimit, e cila është e lidhur si mishi me thonjtë, siç tha Rama, me gjyqtarët e prokurorët e korruptuar, por që duhen marrë përpara më 18 qershor.

“Jemi këtu për të hapur një kapitull të ri, për të hapur rrugën e Vlorës që duam, rrugën e Shqipërisë evropiane. Kurrë nuk do ta mbërrijmë Europën nëse nuk shembim murin e padrejtësisë, murin që ngritën gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar të lidhur si mishi me thonjtë me politikanët e ngujuar në çadër. Do t’i marrim përpara të gjithë ata që duan të na kthejnë mbrapa në 18 qershor”,- u shpreh kryeministri.

Duke treguar dallimin mes të djathtëve dhe të majtëve, Rama i lëshoi një tjetër mesazh kryedemokratit Basha, se më 18 qershor do ketë patjetër zgjedhje dhe ai duhet ta harronte qeverinë teknike.

“Si qenkemi njësoj ne që duam vettingun dhe ata që janë ngujuar në çadër se mbrojnë kriminelët në sistemin e drejtësisë? Si mund të jemi njësoj ne që megjithëse na rrahën, na vranë nuk iu thamë na jepni pushtetin në tavolinë dhe ata që janë mbyllur në çadër nga frika e drejtësisë se kanë frikë të përballen me popullin në zgjedhje, por e duan pushtetin dhuratë në çadër? Ata as dashurinë për Shqipërinë nuk e kanë, janë gati ta ndajnë Shqipërinë për së gjalli, i kanë hapur luftë Europës, Gjermanisë, Amerikës se nuk duan të lëshojnë gjykatësit e prokurorët e korruptuar. Ata bllokojnë rrugën, ne duam të hapim rrugën e Europës. Ata të bëjnë ç’të duan, juve s’ka forcë që ju ndalon. Ne do votojmë si me ata si pa ata më 18 qershor”,- tha ai.

raam 2
Ndërsa kërkoi ndjesë për zgjatjen e punimeve të Lungomares, Rama premtoi edhe një aeroport për qytetin e Vlorës.

“Ne i kemi provuar në këto 3 vjet e gjysmë vlonjatëve, himarjotëve, finiqiotëve dhe gjithë të ardhurve në këtë zonë të mrekullueshme se transformimi i kësaj mrekullie nga një rrëmujë pa shtet në një perlë të Mesdheut është i mundur. Unë e di që shumë nga ju më kanë sharë për Lungomaren që vonohet e di që doni të bëhen sa hap e mbyll sytë gjërat që s’janë bërë në çerek shekulli, dhe ju keni të drejtë. Kur të mbarojë kjo fazë, ju do shikoni që këtë vit sa shumë do rritet turizmi, sa shumë do rritet vlera e shtëpive tuaja. Ne nuk do ndalojmë këtu, ëndërroj të ndërtojmë një aeroport për Vlorën, një aeroport rajonal për njerëzit dhe mallrat që do ta bëjë një nga qytetet më të zhvilluara të Mesdheut”.

“Sot jam edhe më i bindur se Vlora do të bëhet ajo që ëndërruan ata që ngritën flamurin dhe ajo që ëndërroni e shpresoni ju me bashkëmoshatarët tuaj”,- tha Rama ndërsa shtoi se në 3 vite e gjysmë nuk janë bërë mrekullia, por premtoi më shumë nëse do i jepet sërish besimi.

“Unë e di se ajo që kemi bërë, duke hapur rrugën e një arsimi serioz profesional do bëjë më shumë vajza e djem të punësohen në bazë të zanatit të tyre”, shtoi kryeministri.

Drejtuesi i qarkut të Vlorës, Damian Gjiknuri tha se Vlora ka në tjetër shans historik për tu bërë qyteti i dytë më i rëndësishëm në Shqipëri. “Erdhi dita që Vlorës t’i kthehet dinjiteti. “Vlonjatët nuk kanë durim për t’i dhënë sërish votën e tyre Partisë Socialiste. Ata që janë mbyllur në çadër bllokojnë rrugët, por s’mund të bllokojnë rrugën e Europës, mirëqenies”,- tha Gjiknuri.

Elisa
Sekretarja e rinisë së Partisë Socialiste, Elisa Spiropali premtoi më shumë investime, sidomos për Rininë.
“Asnjë fond, asnjë vizion nuk kishte për Vlorën, ndërkohë që vota e 23 qershorit 2013-të e përmbysi këtë sitat, dhe solli më shumë investime e punë. Vota e 18 qershorit, po ashtu do bëjë ndryshimin e madh për Shqipërinë do thyejë murin e gjykatësve dhe prokurorive të korruptuar”,- tha ajo.

Kundërshtarët janë shumë, janë ngujuar në çadër e bllokojnë rrugët, tha ajo, ndërsa e quajti Bashën frikacak. “Lideri ynë është një guximtar”,- shtoi Spiropali.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: