TIRANË- “Moshapja e lojës së koalicioneve s’ka ndonjë lidhje me ndonjë pakt bashkëqeverisje”. Kështu ka deklaruar sot kryeministri Edi Rama, që ka dhënë shumë detaje të marrëveshjes me liderin e opozitë Lulzim Basha të arritur në orët e para të 18 qershorit dhe të finalizuar mbrëmjen e po asaj dite.

Nisur nga kritikat nga partitë e vogla, Rama ka shpjeguar edhe arsyen se pse nuk e hapi lojën e koalicioneve.

“E kam thënë qysh në fillim kompromis me Kushtetutën me ligjin dhe të drejtën e popullit për të zgjedhur në ditën që ia jep Kushtetuta dhe ligji këtë të drejtë unë nuk bëj edhe sikur ta di që shkojmë në zgjedhje të vetëm. Dikush mund të thotë se rihapja e rrugës për koalicionet ishte ligjore, po por jo në ceknotën e kohës, duke hapur rrugë për avaze të reja, të cilave mund të mos u gjendej më fundi dhe lojërave që mund të fillonin nga e para”, tha Rama.

Sipas tij, ‘gojët e mëdha që çorodisin përditë Shqipërinë me lehaqenllëkun e klubeve të katundit politik e mediatik, që ushqejnë barkun e tyre të pangopshëm me stresin që politika e interesave mizerabël të të gjitha llojeve u shkakton njerëzve s’kanë pushuar një sekondë duke hedhur baltën e tyre mbi marrëveshjen’.

“E godasin si një Pazar të madh bashkëqeverisjeje mes PS-së dhe PD-së në kurriz të demokracisë, në kurriz të drejtësisë apo në kurriz të partive të vogla, të cilat me gjithë respektin mund të jenë gjithçka por vetëm garante të demokracisë dhe drejtësisë nuk kanë qenë ndonjëherë dhe as mund të jenë dot për vetë peshën e tyre, jo vetëm në Shqipëri por askund”, theksoi kreu i qeverisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb