TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka pohuar sot se ministri i ri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj do të heqë dorë nga detyra e tij si kreu i komisionit të reformës në drejtësi dhe ajo në komisionin e ligjeve dhe do të fokusohet në punën e tij si ministër. Nga studio e “Top Story” Rama nuk ka pranuar të flasë për komentet e ardhura në adresë të Xhafajt.

“Nuk e di çfarë komentesh janë bërë. Besoj fort se është zgjedhja e duhur dhe garanton vazhdimësinë e punës së jashtëzakonshme të lënë nga Saimir Tahiri.

Natyrisht që nuk do jetë kreu i komisionit të reformës në drejtësi. Ai është edhe kreu i komisionit të ligjeve dhe komisioni i reformës në drejtësi e ka mbyllur funksionin e tij. Ai do fokusohet në punën e ministrit të Brendshëm”, deklaroi Rama.

Shefi i ekzekutivit ka nënvizuar se fokusi i tij është 18 qershori dhe se maxhoranca po përgatitet për fazën finale të një mandati.

“Shqipëria sot është pikën që ka bërë shumë por ka akoma shumë për të bërë. Fokusi im është tek 18 qershori dhe jo tek 18 shkurti. Ne po organizojmë fazën finale të një mandati, që tanimë të kryejmë një detyrë shumë të madhe: ballafaqimin me gjithë shqiptarët në të gjithë territorin. Të tregojmë çfarë kemi bërë, çfarë duhet të bëjmë dhe njëkohësisht çfarë rrezikon vendi në 18 qershor dhe për këtë arsye marrim një besim edhe më të madh se i 2013-ës. Për të hapur shtigje të reja punësimi dhe rritje ekonomike”, tha Rama.

I pyetur se çfarë rrezikon vendi në 18 qershor sipas tij, Rama tha: “Rrezikon të humbasë shumëçka nëse besimi që ne kërkojmë të rikonfirmohet nuk është në atë forcë dhe me atë përcaktueshmëri bindëse nga pikëpamja e votës që kërkon mandati i dytë për të çuar përpara reformat për të bërë shtet”.

Për sa i përket reformës në drejtësi Rama tha se opozita nuk e ndalon dot Vettingun dhe herët ose vonë do ta votojnë.

“Dua t’ju kujtoj që ne e vumë në programin tonë qeverisës reformën në drejtësi. Dhe aty kemi pasur një debat se pse e futëm në programin tonë kur ndryshimet kushtetuese kërkojnë shumicë. Ne e vendosëm sepse ky është qëllimi ynë, është vizioni ynë. Ne ju kemi thënë kolegëve të opozitës, ju do të vini ta votoni reformën në drejtësi. A erdhën e votuan? Kartonin jeshil lart dhe kokën poshtë. Vettingun nuk e ndalojnë dot as me çadër, as me kërkesën për qeveri imagjinare, as me kërcënime për bojkot. Herët apo vonë, por do e votojnë. Ky popull ka të drejtën e tij historike të kërkojë të ndahen gjykatësit e prokurorët me integritet nga ata që janë të korruptuar. Është koha për të bërë një ndarje me thikë midis Shqipërisë që kemi trashëguar dhe Shqipërisë që duam të ndërtojmë. Këtë ndarje me thikë e përcakton si hap i parë i domosdoshëm, pikërisht vettingu. Aty në atë çadër, është vettingu motivacioni themelor që i shtyn të rrinë në çadër në vend që ta shohin 18 qershorin si destinacionin ku çdo parti politike ka detyrimin të shkojë. Jam i bindur që opozita do hyjë në zgjedhje dhe PD do hyjë në zgjedhje”, deklaroi Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb