TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se nëse PD nuk e voton brenda majit vettingun, marrëveshja me Bashën është e prishur. Nga një takim me banorët e Kasharit, Rama risolli në vëmendje deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha se “nuk do të votojmë vettingun me drejtorët e Edi Ramës” dhe theksoi se nëse PD nuk e zhbllokon vettingun brenda majit, marrëveshja prishet.

“Saliu mbrëmë paska thënë që ne marrëveshjen e kemi për të çuar njerëzit në komisionet e vettingut por jo për t’i votuar ato që të bëjmë vetting me drejtorët e Edi Ramës. Dua t’i them diçka tani në mënyrë të prerë: Sali nëqoftëse PD nuk do të zhbllokojë me votat e deputetëve të saj listën me anëtarët që duhen për komisionet e vettingut…nëse PD nuk e zhbllokon brenda majit vettingun marrëveshja është e prishur!”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se ‘Vettingu është arsyeja themelore pse ne bëmë marrëveshjen’. “Vettingu është arsyeja themelore pse ne i pamë interesat e shqiptarëve të zakonshëm, socialistë dhe demokratë si interesa që bëjnë vetëm një interes, interesin tonë kombëtar në këtë moment kur Shqipëria duhet të ngrihet mbi flamujt e partive për ta çuar flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e BE-së”, deklaroi Rama.

Kryeministri i dha ultimatum PD-së për votimin e vettingut që do të sjellë dhe pastrimin e pallatit të drejtësisë.

“Nuk ka ‘por’, nuk ka ‘sikur’, nuk ka ‘po edhe kështu’ edhe ‘ashtu’. Brenda majit deputetët e shumicës dhe opozitës duhet të zgjedhin listën e ekspertëve që është verifikuar nga ONM, anëtarët e dy komisioneve të vettingut dhe pastrimi i pallatit të drejtësisë duhet të fillojë menjëherë sepse pastrimi i pallatit të drejtësisë është më i rëndësishëm për ne dhe qytetarët shqiptarë”, tha Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: