Nga: Erjola JATA

Bashkitë po shpenzojnë më shumë për personalin në paga dhe punësime të reja sesa për investime dhe shërbime për qytetarët. Është ky një ndër konkluzionet e raportit të financave vendore, të publikuara nga COPLAN dhe që iu referohet të dhënave zyrtare të thesarit nga Ministria e Financave.

Sipas raportit, për tremujorin e parë të këtij viti, evidentohet një rritje të shpenzimeve për personelin prej rreth 850 milionë lekë ose 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Përtej financimit të funksioneve të reja, kjo rritje e shpenzimeve për personelin mund të reflektojë pjesërisht rritjen e nivelit të pagave të të punësuarve në bashki ose rritjen e numrit të punësuarve në administratën vendore. Në të njëjtën mënyrë, shpenzimet operative në tremujorin e parë të vitit 2017 janë rritur me 52% në krahasim me tremujorin e parë të 2016.

Nga grafiku evidentohet qartë se për tremujorin e parë të 2017-ës, shpenzimet për personelin përbënin 4.3% të totalit të shpenzimeve, pasuar nga 3.5% që janë shpenzimet për investime dhe 2.2% shpenzimet operative.

“Megjithëse është ende herët për tëdalë në konkluzione përfundimtare, rritja e shpenzimeve të personelit dhe atyre operative nuk pajtohet me objektivin madhor të reformës administrative territoriale për eficiencë operacionale dhe reduktim të kostove administrative. Nga ana tjetër, megjithëse, kostot operacionale nuk duket të vijnë në ulje, duhet të mbahet në konsideratë fakti se bashkitë kanë rritur shpenzimet për investime”, theksohet në raport.

Zbatimi i reformës territoriale administrative rreth 1 vit e gjysmë më parë synonte pikërisht shkurtimin e shpenzimeve për paga dhe fokusimin te invetsimet. Në atë periudhë u përllogarit se nga zbatimi i reformës së re do të kurseheshin rreth 50 milionë euro në vit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb