Një raport i Shteteve të Bashkuara publikuar të martën e shpall Kinën si një ndër shkelësit më të mëdhenj në botë lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore dhe punën e detyruar.

Raporti e vendos Kinën në një nivel me vendet që SHBA i ka dënuar publikisht për një kohë të gjatë si Irani, Koreja e Veriut dhe Siria.

Raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit e e ul Kinën, nga Kategoria 2, vitin e kaluar, në Kategorinë 3, të vendeve që nuk kanë përmbushur “standardet minimale për eliminimin e trafikimit dhe se nuk po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për ta bërë këtë”.

Shtetet e Bashkuara i njohën Pekinit “disa hapa” për të trajtuar çështjen e trafikimit të qenieve njerëzore. Por në raport thuhet se zyrtarët lokalë në Xinjiang “detyruan burra e gra të minoritetit etnik Ujgur të kryejnë punë të detyruar”, ndërsa autoritetet riatdhesuan me forcë shtetas koreano-veriorë pa i shqyrtuar rastet e tyre nëse ata ishin të trafikuar, po ashtu kanë nënshtruar burra gra e fëmijë kinezë në punë të detyruar, në furra të prodhimit të tullave, miniera qymyri e fabrika, nën mbikëqyrje të ulët të qeverisë.

Raporti përmend 22 shtete të tjera në kategorinë më të ulët atë të 3-të ndër to Bjellorusinë, Burundin, Rusinë, Sirinë, Uzbekistanin dhe Venezuelën.

Sipas raportit Rusia “ka ruajtur dhe së fundmi zgjeruar kontratat dypalëshe” me Korenë e Veriut, në mënyrë që Pheniani të mund të operonte “kampet e punës në teritorin rus duke nënshtruar mijëra punëtorë të Koresë së Veriut në punë të detyruar”.

Vendet e klasifikuara në Kategorinë 3 mund të ndëshkohen me sanksione dhe të mos lejohen të kryejnë shkëmbime kulturore me Shtetet e Bashkuara, por në të kaluarën presidentët amerikanë kanë miratuar përjashtime për to dhe kështu mund të veprojë edhe presidenti Trump.

Ndërkohë Shqipëria dhe Kosova, ashtu si më parë, vazhdojnë të jenë në Kategorinë 2, të vendeve që nuk plotësojnë tërësisht standartet minimale për eleminimin e trafikimit, por që megjithatë kanë bërë përpjekje të mëdha për ta ndryshuar situatën.

Sekretari amerikan shtetit Rex Tillerson tha se trafikimi i qënieve njerëzor është: “Një nga çështjet më tragjike të të drejtave të njeriut të kohës sonë. Ai ndan familje, shtrembëron tregjet globale, minon sundimin e ligjit dhe nxit veprimtari të tjera kriminale ndërkombëtare. Fenomeni kërcënon sigurinë publike dhe atë kombëtare”. “Por më e keqja e të gjitha” sipas tij është se ” ky krim u vjedh qenieve njerëzore lirinë dhe dinjitetit e tyre. Prandaj, theksoi ai duhet të vazhdojnë përpjekjet për t’i dhënë fund trafikimit të qënieve njerëzore./voa/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb