TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku thotë se investimet e huaja janë në pikiatë dhe se qeveria nuk ka asnjë politikë stimuluese fiskale apo ekonomike. Tabaku ka reaguar me një status në “Facebook” për raportin e FMN-së duke thënë se ai rikonfirmon atë çfarë opozita ka kohë që e shpreh me shqetësim, se kemi më pak investime të huaja.

Sipas Tabakut, ‘Shqipëria nuk përbën aspak konkurrencë për vendet e rajonit për shkak të klientelizmit të qeverisë dhe dhënies me koncesion në të gjitha fushat’.

Deputetja demokrate shprehet se taksa e sheshtë 9% që propozon PD do të mund të ringrejë ekonominë shqiptare përmes investimeve të huaja.

DEKLARATA E TABAKUT

Investimet e huaja në pikiatë!
Raporti FMN për investimet e huaja rikonfirmon atë çfarë opozita ka kohë që e shpreh me shqetësim. Kemi më pak investime të huaja, jemi të parafundit në rajon, qeveria nuk ka asnjë politikë stimuluese fiskale apo ekonomike. U mungon vizioni sepse fuqitë i kanë harxhuar për tendera e koncesione.
Ironikisht, sot kryeministri dhe ministri financave kanë shpallur nismë djallëzore të Rilindjes “Blej Shqipërinë përmes Koncesionit”.

Duan të shesin një vend të cilin e kanë nxjerrë në koncesion, duan të shesin të ardhmen e qytetarëve pasi dështuan në çdo politikë ekonomike. Duan t’ia shesin bizneseve pranë tyre. Mbasi për 4 vite nuk ndërtuan asnjë shkollë të re, mbasi nuk hapen asnjë aks të ri rrugor, mbasi të ardhurat i ulen në nivele historike (vetëm vitin e fundit patën një mosrealizim prej 100 mln usd), filluan të riciklojnë premtimet e vjetra.

Shifrat janë kokëforta, fatkeqësisht kjo mungesë vizioni, ky klientelizëm e kjo rritje kaotike taksash këto efekte ka. Kësaj mënyre qeverisje i duhet thënë jo!

Taksa e sheshtë prej 9 % e bën Shqipërinë përsëri konkuruese në rajon, kthen besimin e investitorëve e i jep frymë ekonomisë e biznesit! Shqipëria duhet të luftojë për cdo vend pune që krijohen në rajon! Shqipëria duhet të jetë përsëri konkuruese!
Tabaku grafik investimet

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb