TIRANE-Ish zëvendëskryeministrja teknike, Ledina Mandija e propozuar nga PD si pjesë e marrëveshjes Rama-Basha të 18 majit i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama në lidhje me raportin përfundimtar të ministrave teknikë për zgjedhjet e 18 qershorit. Mandija thotë se mospëlqimi i raportit nga ana e kryeministrit duke e quajtur të njëanshëm nuk e bën atë jo profesional.

Deklarata e Ledina Mandijas:
Duke marrë shkas nga deklarata e kryeministrit për njëanshmëri të “raportit” dhe mosqënien e tij në nivelin tim profesional, dëshiroj të sqaroj se materiali përmbledhës është pasqyrim i plotë, i saktë dhe sistematik i materialit të dërguar në kohë pranë Task-Forcës nga të gjitha institucionet shtetërore. Jo pa qëllim është quajtur material përmbledhës pasi nga ana e zyrës se Zëvendëskryeministrit nuk është ndryshuar apo shtuar asgjë që nuk është referuar apo raportuar.
Fakti që informacionet apo raportimet e vetë institucioneve shtetërore apo edhe zhvillimet e përditshme të situatave gjatë përmbushjes së misionit të Task-Forcës mund të mos i pëlqejnë forcave të caktuara politike nuk e bën raportin të njëanshëm apo jo profesional.
Jam udhëhequr vazhdimisht nga bërja e transparencës së plotë kundrejt opinionit publik dhe pasqyrimi me profesionalizëm i të dhënave dhe fakteve që më janë raportuar dhe konsideroj se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i një sistemi demokratik të një shteti që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: