“Krimi i organizuar shqiptar ka dalë në dekadën e fundit si një nga kërcënimet kryesore për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Pavarësisht përpjekjeve të bëra në nivel të BE-së, kërcënimi mbetet i fortë. Greqia si vend fqinj i Shqipërisë është e prekur drejtpërdrejt nga aktivitetet e organizatave kriminale shqipfolëse si pasojë e numrit të madh të emigrantëve që jetojnë në vendin tonë”.

Një raport konfidencial i policisë greke vë në dukje se përfshirja në akte kriminale e shtetasve shqiptarë në Greqi, është më e larta në raport me kombësitë e tjera që jetojnë në vend”.

Pjesë nga ky raport, që është hartuar më 25 korrik 2017, ka publikuar gazeta greke “Kathimerini”, nën titullin “Mafia shqiptare në Greqi”.

Raporti shkruan se veprimtaria kryesore e te inkriminuarve shqiptarë në të ashtuquajturin kriminalitetin e rëndë në Greqi është trafikimi i drogës nga Shqipëria drejt Greqisë dhe Italisë.

“Këto organizata kriminale në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë të përfshirë kryesisht në trafikimin e drogave narkotike. Kanabisi është rritur në Shqipëri dhe Kosovë, dhe prej aty shpërndahet kryesisht në Greqi dhe Itali. Për importin e heroinës dhe kokainës, këto organizata kriminale po punojnë me homologët e tyre nga Turqia dhe Amerika Latine. Shpesh, për të lehtësuar aktivitetet e tyre, ata përdorin struktura të pronësisë dhe të ligjshme të biznesit. Ndikimi i tyre ndihet mbi policinë, doganat dhe nëpunësit civilë”, thuhet ë raport.

Sipas raportit, çështja e trafikut mes dy vendeve ka qenë në qendër të vemendjes së autoriteteve dhe për këtë është diskutuar zyrtarisht edhe me palën shqiptare. “E njëjta çështje u diskutua edhe në takimin me homologun shqiptar Haki Çako në nëntor 2016 në Tiranë”, thuhet në të.

Duke iu referuar shifrave, theksohet se nga janari i vitit 2016, më shumë se 15.5 tonë hashash janë sekuestruar në territorin grek, prej të cilave 6.8 tonë vetëm në 6 muajt e fundit.

Sipas gazetes, përveç hashashit, mafia shqiptare trafikon edhe heroinën e kokainën që vijnë nga Afganistani, Turqia, apo vendet e Amerikës Latine, me destinacion më pas shtetet e Europës Juglindore.

Pjese e raportit është edhe trafiku i qenieve njerëzore dhe veçanërisht vjedhjet. Sipas raportit policia greke, i përshkruan këta kriminelë si tepër të dhunshëm, të pamëshirshëm, që nuk ngurrojnë të përdorin armët dhe të marrin jetë, ndërsa ka informuar shpeshherë edhe organet shqiptare për aktet kriminale të regjistruara në vend.

Në raport theksohet edhe se nga viti 2010 deri në 2015-ën janë zbardhur rreth 16.750 vjedhje dhe bastisje shtëpish me autorë kriminelë shqiptarë, 3.158 vjedhje makinash, 4.347 çështje trafikimi droge dhe 478 vrasje.

Me tej, thuhet se viktima të këtyre rasteve kriminale nuk kanë qenë vetëm greket, por edhe një numër i madh shtetasish shqiptarë që jetojnë në Greqi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb