Pas presidentit, është radha e klubit të Kukësit që me një status në rrjetin social “facebook” të dalë me një deklaratë lidhur me menaxherin i cili presupozohet t’i ketë ofruar para futbollistëve të Partizanit për të toleruar sfidën e së premtes mes këtyre dy skuadrave.

Në reagimin e verilindorëve theksohet se ky person, Drini Çaushi, nuk është pjesë e klubit dhe për këtë arsye nuk mund të ngatërrohet me çështje të tilla.

Reagimi i Kukësit
kukesi
Klubi i Kukësit është shumë i shqetësuar me shkrimet e publikuar nga mediet të ndryshme që e lidhin skuadrën verilindore me çështje që nuk bëjnë pjesë në mentalitetin tonë.

Duke u nisur nga shkrimi duhet të theksojmë se menaxheri Drini Çaushi nuk është pjesë e Kukësit dhe klubi distancohet nga këto shkrime. Bëjmë të ditur se klubi i Kukësit bashkëpunon me shumë menaxherë dhe pjesa më e madhe e lojtarëve të skuadrës tonë kanë të tillë, por kjo s’do të thotë që ata janë pjesë e jona, apo veprojnë nën stemën e skuadrës e aq më pak të kenë detyra të tjera nga drejtuesit.

Kërkojmë që emri i klubit të Kukësit të mos ndotet nga shpifje të tilla. Në të njëjtën kohë tërheqim vëmendjen e medieve që të jenë më të kujdesshme në publikimin e shkrimeve që trazojnë opinionin sportiv, pasi veprimet personale të një menaxheri apo një tjetri, nuk mund të “vishen” me ngjyrat e klubit tonë.

Ndeshjet për ne luhen në fushë dhe jo jashtë saj!

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb