NGA: VALENTINA MADANI
Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu ka mun dur të lexojë vetëm pasditen e djeshme “akuzën” e ish-deputetit Jemin Gjana se ajo bashkë me disa kritikë të tjerë brenda grupit të PD-së po tentojnë t’i marrin partinë kreut aktual, Lulzim Basha. Kjo për shkak të axhendës së ngjeshur, pasi dje u hap shkolla verore evropiane dhe Majlinda Bregu drejtoi panelin si kryetare e KKIE-së. Sipas saj çështja e integrimit është më e rëndësishme se debatet boshe… Megjithatë, ajo thotë për “GSH” se u qëndron deklaratave të bëra më parë ndaj lidershipit të PD-së, ndërsa Jemin Gjanës i kujton se askush nuk mund ta bëjë të ndihet keq për ato që ajo deklaron dhe se të gjithë janë bashkaksionerë në PD.

Zj.Bregu jeni njohur me “akuzën që ju ka bërë ishministri dhe ish-deputeti i PD-së, Jemin Gjana se ju dhe kritikët e tjerë në PD po tentoni t’i merrni partinë kreut aktual, Lulzim Basha?
Kam mundur ta shoh vetëm pasdite për shkak të angazhimit tim në aktivitetin e hapjes së Shkollës verore evropiane, një aktivitet shumë i rëndësishëm ku përmenda se këtë vit, Shqipëria do të vlerësohet për punën e bërë, në veçanti me miratimin e reformës në drejtësi, për hapat e mëtejshëm drejt negociatave.

Dhe si i konsideroni deklaratat e z.Gjana?
Mua nuk më bën dot askush që të ndjehem keq për ato që them. Unë u qëndroj deklaratave të mia dhe ftoj edhe të tjerët që të shohin situatën realisht. Edhe zoti Gjana nuk besoj që është aq i vogël sa të mos ketë mundësinë që të kuptojë dhe ta shohë situatën siç është realisht. Z.Gjana e njeh partinë, por mua nuk më shoqërojnë deklaratat e askujt, ndaj i qëndroj me bindje asaj çfarë kam thënë më parë.

Megjithatë, ju dhe z.Selami keni vënë në diskutim pozicionin e z.Basha si lidership i partisë dhe këtë z.Gjana e sheh si tentativë për marrjen e partisë…
Valentina Madani Duhet të keni të qartë një gjë: që Lulzim Basha është kryetari i Partisë Demokratike, i pari mes të barabartëve. Dhe të mos ketë merak as Gjana dhe askush tjetër se ne po i marrim partinë. Aq sa është “pronar” Lulzim Basha në PD, nëse flitet për koncepte pronësie, megjithëse nuk më duket se është korrekte, po aq jemi të gjithë. Jemi të gjithë aksionerë, është pronë e përbashkët, nuk është pronë e askujt. Ndaj askush nuk i merr dikujt një gjë që është e tij, sepse unë nuk shoh që PD është e Lulzim Bashës, them që PD është e demokratëve. Nuk besoj se ne nuk duhet të mos flasim duke menduar se po ndjehet keq, apo nuk po i vjen mirë për momentin kryetarit të PD, apo nuk i vjen mirë dikujt tjetër.

Atëherë pse gjithë ky debat?
Nuk besoj se ka ndonjë vlerë ky debat. Unë vazhdoj të besoj në bindjen time të plotë se PD-ja ka nevojë për të parë edhe nga vetja. Nuk u heq asnjë presje atyre deklaratave që janë bërë për zgjedhjet në Dibër nga kolegët e mi, për të gjitha problematikat që kishte Dibra. Por më vjen keq, unë nuk mund të ndaj të njëjtin mendim me kolegë, të cilët kanë përfituar nga situatat konfliktuale në PD. Jemini ka qenë gjithmonë me kryetarët e partisë, nuk ka asgjë të keqe as këtu që të jesh gjithmonë në krah të kryetarit dhe nëse e mbështet tani… Unë besoj që çdo kryetar partie, sikurse secili nga ne ka nevojë të mendojë qoftë edhe sikur të jetë një ide që të mos jetë ideja që i kalon në kokë gjithë ditën apo një mendim tjetër. Gjithsesi, unë nuk e kam pasur kurrë konceptin e luftës së klasës si dikur, por jam që të bashkëpunojmë, të dialogojmë së bashku dhe të gjithë bashkë të punojmë për fitoren e së djathtës përballë kësaj mazhorance në zgjedhjet e 2017-ës.

Si mund të arrihet te kjo fitore?
PD mund të fitojë zgjedhjet nëse nis urgjent riorganizimin e strukturave, zgjedhjen e tyre, përfshirjen e grupit në vendimet politike të degëve. E kam thënë dhe më parë që ka nevojë urgjente për rishikim, ribashkim dhe për të rritur PD edhe me ata që kanë dhënë kontribute. Fryma e Re Demokratike mund të jetë edhe në aleancë me PD, pse jo për t’u rishkrirë me të dhe unë nuk di vend më të mirë për t’u diskutuar se Këshilli Kombëtar i PD-së.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: