Kreu i LIBRA-s Ben Blushi ka deklaruar se pas zgjedhjeve të 25 qershorit ai do të jetë në Kuvend dhe Edi Rama nuk do të jetë kryeministër.

Blushi është shprehur se Rama pas zgjedhjeve të 25 qershorit ka më pak shanse nga të gjithë për të kryesuar qeverinë. Sipas Blushit llogaritë elektorale janë kundra Ramës kryeministër.

“Njeriu që ka më pak shans për të kryesuar qeverinë pas 25 qershorit, është Edi Rama. Për të gjitha arsyet. Për arsyen se si ka qeverisur dhe për shkak të llogarisë elektorale. Ne jemi profesionistë, jemi të detyruar të bëjmë llogari elektorale. Llogaritë elektorale janë kundër Ramës kryeministër dhe keni për të parë që ka për të ndodhur”, deklaroi Blushi.

I ftuar sonte në emisionin “Opinion”, Blushi ka folur veç të tjerash edhe për debatet e shpeshta që ai ka me Berishën dhe Ramën. Ai është shprehur se debatet e tij me Berishën kanë njëfarë “shije”, ndërsa me Ramën ndodh ndryshe. Rama sipas Blushit kur është përballë tij ndodhet në ankth.

“Për hir të vërtetës Saliu ka më shumë humor. Ky tjetri është gjatë gjithë kohës në ankth. Dhe e ke të vështirë të bësh debate racionale me një njeri që është gjatë gjithë kohës në ankth. Berisha ka ankthet e veta por koha i ka dhënë pak më shumë relaks”, tha Blushi.

Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi ka kritikuar marrëveshjen politike mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha.

Blushi u shpreh sonte se PD hoqi dorë nga kauza e saj kryesore, që sipas saj, ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Mirëpo, kreu i LIBRA-s tha se kjo është një marrëveshje në kurriz të shqiptarëve.

“PD rrëzoi kauzën për zgjedhje më të lira. E shkëmbeu me burgjet, me hipotekat… për të shpërndarë tapitë e Edi Ramës”.

“Nuk do isha shumë i mërzitur nëse PD nuk do merrte pjesë në zgjedhje. Ardhja e PD i ka hapur zgjedhjet, 1.7 milionë kanë ardhur në votime në 2015. Tani i kanë të gjitha ofertat. Doja që të vinte në zgjedhje, nuk mendoja që të bënte këtë marrëveshje në kundërshtim me kauzën që ngriti”, tha Blushi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: