Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

REPORTAZH/ Dukagjini, një histori pa emër! Bletë, mjerim, cannabis e polic heronj (Video)

20049585_318512135241296_545851872_o

Nga: Senad Nikshiqi

“Do të shkojmë në Dukagjin”-ishte telefonata duke më njoftuar se do jemi pjesë e një aksioni të policisë në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Sapo mora këtë konfirmim nuk hezitova aspak dhe nuk u mendova dy herë për shkelur sërish në tokën e Dukagjinit. Ende nuk ishte bërë viti nga hera e fundit. Kësaj radhe jo për borën, ngricat dhe izolimin e banorëve por për rrënjët e cannabis sattiva. Një entuziazëm i brendshëm më përshkon sa herë udhëtoj drejt Dukagjint, jo vetëm për respektin për atë zonë, jo vetëm për qindra miq nga Dukagjini, shumë shokë me të cilët edhe jam rritur, jo vetëm për heroizmat, jo vetëm për luftërat e pafundme, jo vetëm për guximtarët e të varfërit e Dukagjinit por edhe për dëshirën e madhe për të udhëtuar në një prej vendeve më fantastike që Shqipëria ka.

Ende pa zbardhur drita, në 3:30 gjithçka është gati për rrugëtimin misterioz drejt Dukagjinit. Pak minuta më pas mbërrijmë në Komisariatin e Policisë së Shkodrës. Rreth 100 forca policie marrin mesazhet e fundit për aksionin e vështirë që i priste. Komisar Saimir Rrustemi është në krye të detyrës bashkë me 100 efektivët.
20133390_318512198574623_1571591048_o (1)

20132583_318512205241289_1192631914_o

20132776_318512218574621_1224763870_o

20132626_318512235241286_1012994454_o

19875962_318512278574615_1174817706_o
I ç’tensionuar për vështirësitë në udhëtim, nisemi drejt objektivit. Lëvizjet në rrugë janë të pakta. Është ende herët dhe të duket se e gjithë hapësira është pronë e jotja. Teksa merr maloren e Prekalit dëgjohet vetëm gumëzhitja e lumit Kir ndërsa qetësinë nuk e prish askush. Forcat e policisë të mobilizuar në aksionin më të madh të këtij viti bëjnë një ndalesë në vendin e quajtur Guri i Mashës. Fare lehtë, sapo zbret nga makinat e larta ndjen ajrin e pastër që të shpon mushkëritë. E pamundur të mos afeksionohesh në jo më shumë se 3 sekonda. Çlirohesh dhe pastaj ia nis bisedës.

Pak minuta dhe të gjithë të bashkuar vazhdojnë udhëtimin. Pas rreth 2 orë e gjysëm, brenda një shpelle vërehet një shtrat dhe një person që po flinte. Policia ndalon. Afrohemi shpellës dhe një djalë rreth 22 vjeç zgjohet nga gjumi. Përballë tij ndodheshin një numër i madh koshere bletësh. Djaloshi po bëntë roje. Teksa policia bën një kontroll rutinë në shpellë, djali tregon se ruante kosherët e bletëve. E pyes se cila është pagesa dhe përgjigjet se merr 2 mijë lekë të vjetër për një koshere në muaj. Në total ishin rreth 90 koshere dhe i riu nuk merrte më shumë se 180 mijë lekë të vjetër. Kishte një muaj që flinte aty në një shtrat me një sustë të vjetëruar e denjë për filma. Djaloshi nuk lëvizte ndërsa ushqimin familjarët ia sillnin përmes furgonëve të rastit. Kaq duhet për të kuptuar mjerimin, varfërinë dhe problemet e asaj zone. Përshëndetemi dhe vazhdojmë rrugën tonë. Në mendjen time nuk e di pse m’u kujtua Sokol Mjaçaj, autori i vrasjes së dy turistëve nga Çekia që mori dënimin me burg të përjetshëm. Çunat s’kanë lidhje por ngjasonin tek skamja e gjithsecilit dhe mënyra se si janë rritur.

Mësojmë se parcelat me cannabis të fotografuara nga Guardia di Finanza janë në Balza të Shoshit, në male të larta. Udhëtimi nuk ndërpritet ndërsa forcat e policisë gjithnjë komunikojnë përmes një kanali sekret në radiot e tyre në mënyrë që aksioni të mos dekonspirohet.

Si gjithnjë rruga e Dukagjinit kërkon në çdo rast një shofer të ngjashëm me Michael Hall në filmin Collide sepse ndryshe rrezikon shumë. Humnerat janë shumë afër e bashkë me to edhe vdekja. Memorialet e atyre që kanë humbur jetën në aksidente janë kudo. Rrëzë malit të Shoshit shoferi merr kthesën djathtas dhe futet në rrugë mister të cilën jo vetëm unë por edhe policia nuk e kishte bërë asnjëherë më parë. Rruga malore është një sfidë më vete. Mbi 2 km janë vetëm malore pa patur askund vijë të drejtë. Pas rreth 4-5 orësh mbërrijmë në zemër të pyllit, aty ku mbaron edhe rruga. Një kurorë pyjore e mrekullueshme e mbushur me lule shumëngjyrëshe e të pafundme e bashkë me to me disa fruta pylli bio me një shije mbreslënëse. Gjelbërim i gjallë. Mahnitëse. Ajo perlë e natyrës në vend të tokës së cannabisit mund të shfrytëzohet fare mirë për një turizëm elitar. Por askush nuk është i interesuar. Aq më tepër shteti shqiptar.

Është koha për të gjetur parcelat. Forcat e policisë nisin misionin më të vështirë. Të ndodhur mes maleve nuk e dinë se ku duhet të ecin dhe se me çfarë mund të përballen. Komisar Rrustemi shpërndan grupet dhe kujton për herë të fundit detyrat e gjithsecilit. Ecja nis gradualisht në një faqe mali të cilës nuk i shihej fundit. Pas rreth 30 minutash ecje përfundon ajo pjesë. Pak rrugë e drejtë dhe përballë del një tjetër faqe mali. Thuajse gllabëruese. Duhen sërish edhe 30 minuta të tjera. Ka vështirësi por lodhja ende nuk ka nisur të ndjehet. Kapërcehet faqja e dytë malore por sërish jemi larg parcelës në pikën më të lartë. Vazhdon udhëtimi edhe për 45 minuta të tjera dhe GPS tregon se jemi afruar. Pas 15 minutash rreziku është jo i vogël sepse duhet të ecësh në brinjë të shpatit të malit ku nuk mund të vendosësh të dy këmbët por vetëm njërën. Kuptoj që dokumentarët e shumtë nuk janë shpikje regjizorësh as ëndrra alpinistësh.

Më në fund me syrin e lirë dallohet parcela. Efektivët marrin pozicion dhe gradualisht sigurojnë perimetrin. Gjurmët në parcelë janë të freskëta çka tregon se kultivuesit kishin qenë atë ditë aty. Autorët ia kishin mbathur dhe policia pasi sigurohet se nuk ndodhet askush nis punën për asgjesimin e saj. Jemi mbi 1 mijë metër mbi nivelin e detit. Nga ajo lartësi sheh luginën e mrekullueshme të maleve. Poashtë saj, dallohet një tjetër parcelë. Policia pasi asgjeson të parën merr udhën për tek parcela tjetër. Terreni është i thepisur dhe jo vetëm gazetarët e operatorët por edhe disa policë kanë vështirësi. Pa frikë aty sheh vdekjen me sy. Një rrëshqitje e vogël apo mungesë përqendrimi të ndan nga vdekja. Kthjelltësia është detyrë. Kupton se policët, këta efektivë të palodhur që muajt e verës i kalojnë maleve në kërkim të parcelave me cannabis nuk janë gjë tjetër veçse HERONJ. Pas asnjë mjet të përshtatshëm përveç kmesave luftojnë çdo ditë në të tilla situata.

“Jo rrallë herë i them fëmijëve se nuk e di a kthehem më”-tregon një polic për momentet kur niset në të tilla aksione.

Pas 15 orësh të aksionit të pandërprerë, forcat e policisë asgjesojnë 12 parcela me mbi 1700 rrënjë. Në fund marrin rrugën drejt Shkodrës pa e ditur se çfarë i pret e nesërmja.

Ky është Dukagjini, kjo është Shqipëria, këta janë policët. Bletë e mjerim, natyrë e virgjër e pashfrytëzuar e harresë shtetërore, ujë burimesh kristal me fruta bio por edhe cannabis ashtu siç kultivues droge por edhe polic HERONJ. Një histori pa emër!
(BalkanWeb)



Komente ( 2 )

KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.