Nga Mariglen Mertiri
Më në fund qytetarët panë shiun të bjerë pas disa muajsh mungese në shumicën e territorit. Ndryshimi i motit që nis që të shtunën solli edhe uljen e temperaturave të paktën me 10 gradë Celsius duke larguar të ashtuquajturin “Lucifer” nga territori ynë dhe u dha mundësi shqiptarëve për disa orë frymëmarrje të freskët.

Edhe pse kjo situatë me temperature të ulëta dhe mot të vranët do të shoqërojë të dielën, sinoptikania Lajda Porja parashikon se ditët e nxehta me temperature mbi 40 gradë nuk do të jenë më prezentë në territorin shqiptarë, por rritja graduale e temperaturave do të fillojë nga kjo e hënë.

Lajmin e mirë sinoptikanët e japin deri më 25 gusht ku temperaturat nuk do t’i kalojnë 35 grade Celsius.

Këto reshje mund të cilësohen të parat dhe të fundit për muajin gusht pasi thatësira pritet të vazhdojë edhe gjatë shtatorit.

Por ndryshimet meteorologjike dhe reshjet e shiut të paktën për territorin e Tiranës kanë sjellë një përmirësim të situatës me zjarret pasi vatrat e mbetura aktive janë shuar dhe zjarrfikësit mund të marrin frymë lirisht të paktën për disa orë.

Ndërkohë në disa rajone të tjera në jug të vendit përveç vranësirave, shiu nuk ka qenë prezent ndaj situata vijon të jetë shqetësuese dhe kërkon monitorim të vazhdueshëm.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb