Seria A e sezonit të ri që starton më 20 gusht të 2017-ës pritet të vijë ndryshe nga se jemi mësuar ta shohim në vitet e fundit. Një ndryshim të tillë e ka paralajmëruar presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Karlo Tavekio, i cili ka marrë edhe detyrën e komisarit të jashtëzakonshëm të Ligës. Sipas asaj që shkruan “Sport Mediaset” risia e parë që pritet të ndodhë nga sezoni i ardhshëm 2017-2018 i Serie A është ndryshimi i orareve të ndeshjeve, duke marrë për bazë modelin e La Ligës spanjolle. Ideja që është supozuar është që të luhen tre ndeshje të shtunën në tre orare të ndryshme, një të dielën në 12:30, tre në 15:00, një në 18:00, një në 20:45 dhe një ndeshje të hënën në 20:45. Kjo bëhet për qëllime marketingu, për të përfituar sa më shumë nga shpërndarja e të drejtave televizive. “Ky ndryshim do të bëhet në funksion të të drejtave televizive dhe zonës kohore me qëllim për t’u ndjekur në të gjithë botën.”, ka thënë Tavekio, shkruan “Sport Mediaset”.

Një ndryshim tjetër që pritet të ndodhë lidhet me përdorimin e teknologjisë VAR, e njohur ndryshe si moviola në fushë, që do t’u mundësojë arbitrave të ndryshojnë vendimet në çast me ndihmën e kamerave të posaçme. “Jam shumë i lumtur nëse do të vendoset moviola në fushë. Unë ia kam thënë këtë ide që në vitin 2014, ish-presidentit FIFA-s Blatter, i thashë atëhere që do vijë koha që moviola do të jetë e domosdoshme”, ka thënë Tavekio.

Sipas “Sport Mediaset” nëse risitë e mësipërme ishin për të ardhmen e afërt, po mendohen ndryshime edhe në planin afatgjatë. Bëhet fjalë për futjen e play-off­ dhe play-out për skuadrat që ngjiten dhe ato që zbresin në Serinë A. Gjithashtu është hedhur edhe ideja e uljes së numrit të skuadrave, ku aktualisht janë 20 skuadra por pritet që të kthehet në formatin me 18 skuadra të cilën Serie A e ka pasur edhe vite më parë. Tavecchio është shumë optimist se disa prej prej këtyre risive ai do t’i realizojë me qëllim për ta ringritur Serinë A aty ku e meriton dhe për ta bërë atë më konkurruese dhe më emocionuese.
(i.ç/BalkanWeb)
Screenshot_1

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: