Organizata Evropiane e Kërkimeve Bërthamore, e njohur si CERN, njoftoi për rinisjen e eksperimenteve me përshpejtuesin bërthamor, “Large Hadron Collider”, apo shkurt LHC. Eksperimenti u riaktivizua për herë të parë pas dy vjetësh dhe me anë të tij shkencëtarët e CERN-it shpresojnë që të sigurojnë më shumë informacione për natyrën e materies.

Në testet e fundit, përplasja e protoneve në CERN do të ndodhë çdo 25 nanosekonda, që është më shpejt edhe se ajo e vitit 2012, kur u zbulua grimca “Higgs”. Përmes një videoje, CERN-i ka ilustruar sesi do të ndodhë përplasja. Askush nuk e di se çfarë mund të zbulohet me përplasjet e reja të grimcave, që është një miniversion i shpërthimit të madh të njohur si Big Bang, që e krijoi universin para 13.8 miliardë vjetëve, transmeton Koha.net. Por, shkencëtarët shpresojnë se ky eksperiment do të prodhojë dëshmi të mjaftueshme për atë që po cilësohet “fizika e re”.

Dave Charlton, zëdhënës i eksperimentit ATLAS të CERN-it, që është një prej dy detektorëve në LHC, thotë se ristartimi i përshpejtuesit ishte një hap i madh përpara për shkencën. “Kjo do të thotë se ne mund të prodhojmë energji të larta për të prodhuar pastaj grimca me masë të madhe dhe gjithashtu për të shkurtuar distancat më shumë se që e kishim bërë deri tani. Pra po flasim për një hap përpara drejt një fizike të re të mundshme”, thotë Charlton.

Më 4 korrik të vitit 2012, CERN-i njoftoi zbulimin e “Grimcës së Higgsit”, e njohur ndryshe si “Grimca e Zotit”. Prezenca e një grimce të tillë, e hedhur në teori 50 vjet më parë nga një fizikan skocez, shihet nga fizikanët si faktori që përcakton ekzistencën e materies, ashtu sikundër ne e njohim sot. “Large Hadron Collider” ka një gjatësi prej 27 kilometrash dhe është i vendosur pranë Gjenevës.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: