Përplasja e këngëtarit Arkimed Lushaj me regjisorin Leonard Bombaj duket se është rikthyer, ndërsa mes dy artistëve ka ndërhyrë policia, raporton “Panorama”. Stresi kësaj here nuk është shpallur në kërkim, siç ishte deri para pak javësh, deri sa kërkimi ndaj tij u shua, por është marrë në hetim në gjendje të lirë.

Policia ka nisur procedim penal ndaj tij, pas një incidenti që ka shkaktuar në gjimnazin “Partizani”, në Tiranë, duke i derdhur një kovë me ujë në trup regjisorit Leonard Bombaj.

Ngjarja ka ndodhur në prezencën e rreth 600 gjimnazistëve, që ishin të pranishëm në këtë aktivitet, ku Bombaj po prezantonte projektin e tij më të ri për arritjen e një rekordi “Guinness” me 2017 vetë në Tiranë.

Stresi, që banon shumë pranë vendit ku po zhvillohej aktiviteti, duket se ka kujtuar incidentin që pati me Bombajn 6 vite më parë, kur e akuzoi për një ngjarje shumë të rëndë, por që në përfundim të gjykimit, ishte ai vetë që u dënua nga Gjykata.

Në vitin 2012, Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli fajtor Stresin dhe 4 shokët e tij, mes të cilëve edhe vajzën që ka qenë imazhi i “Sirea Film”, për të cilën ata akuzonin regjisorin Bombaj se kishte abuzuar seksualisht me të.

Ata u dënuan për një gjobë 20 mijë euro që i kishin vendosur Leonard Bombajt, në mënyrë që të shpëtonte nga denoncimi fals për abuzim me të miturën.

ABUZIMI

Rreth orës 11:30 të ditës së mërkurë, Leonard Bombaj ka qenë duke zhvilluar një aktivitet me gjimnazistët e shkollës së mesme “Partizani”, në kuadër të projektit të tij për arritjen e një rekordi “Guinness” me 2017 vetë në Tiranë.

Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë rreth 600 persona, nxënës dhe mësues, të cilët po merrnin instruksionet e nevojshme nga regjisori që po fliste para tyre. Në këtë moment, Stresi ka parë Bombajn që ndodhej aty dhe ka mbushur një kovë me ujë në një prej lokaleve pranë gjimnazit dhe është drejtuar për tek ai. Sapo i është afruar, i ka derdhur ujin mbi trup dhe është larguar jashtë rrethimit të shkollës.

Më pas ka vijuar me gjeste fyese në distancë ndaj Bombajt. Në këtë moment, regjisori i ka telefonuar sallës operative të Policisë dhe ka denoncuar ngjarjen. Aty kanë mbërritur shumë shpejt shërbimet e Komisariatit nr.4, ndërkohë Arkimed Lushaj kishte arritur të largohej nga vendi i ngjarjes.

Policia tha dje se “u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për vlerësim, për shtetasin Arkimed Lushaj, 29 vjeç, banues në Tiranë, pasi rreth orës 11:30, në rrugën ‘4 Dëshmorët’, gjatë një aktiviteti, i ka hedhur një kovë me ujë në trup dhe ka fyer shtetasin Leonard Bombaj”. Ngjarja është sqaruar në Polici nga vetë Leonard Bombaj, por është konfirmuar edhe nga disa prej dëshmitarëve që ishin të pranishëm dhe panë të gjithë skenën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb