Kamza e ka marrë seriozisht punën për përfaqësimin në Kategorinë Superiore dhe drejtuesit po mundohen të ndërtojnë një skuadër të denjë për elitën, në mënyrë që të mos mbeten kalimtarë. Nga ekipi që siguroi ngjitjen në Superiore, kanë mbetur rreth 10 lojtarë, ndërsa pjesa tjetër pritet të plotësohet me lojtarë me eksperiencë.

Presidenti Naim Qarri, në bashkëpunim me kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mziu, kanë premtuar se skuadra e sezonit të ri do të jetë surpriza e sezonit të ri dhe për ta realizuar këtë gjë, ata po punojnë që të afrojnë lojtarë të afirmuar. Deri tani janë përmendur shumë emra, madje thuhet se është arritur akordi edhe me disa prej tyre, shkruan Panorama Sport.

Nga java që vjen pritet të hidhen edhe firmat e para në kontratë. Së fundmi, një emër i ri ka dalë për sulmin e skuadrës së trajnerit Ramdan Ndreu. Pikërisht bëhet fjalë për sulmuesin e Skënderbeut, Sebino Plaku, i cili ka një karrierë të pasur, si brenda, edhe jashtë Shqipërisë. Burime të ndryshme pranë klubit bëjnë me dije se kamzalinjtë janë pranë marrëveshjes me sulmuesin, i cili nuk po gjen hapësirat e duhura te korçarët në këtë periudhë të fundit.

Parimisht është arritur akordi, kështu që mbetet vetëm firma e lojtarit për t’u vënë nën urdhrat e trajnerit Ndreu. Palët po bisedojnë prej ditësh dhe pas përfundimit të ndeshjes së kthimit që Skënderbeu ka me kazakët e Kairatit në Ligën e Europës, mund të finalizohet edhe kalimi i sulmuesit 32-vjeçar te Kamza.

Mbetet për të parë se cila do të jetë mënyra e kalimit të Plakut nga Skënderbeu te Kazma, huazim apo transferim në mënyrë përfundimtare. Një vit më parë, Skënderbeu e huazoi Plakun te Korabi dhe pas përfundimit të dy fazave të para, e riktheu sërish sulmuesin në Korçë.

FRASHËRI – Prej ditësh trajneri Ndreu ka nisur përgatitjet me ekipin dhe gjatë këtyre seancave kanë mbërritur rreth 27 lojtarë për provë. Mbrojtësi Erlis Frashëri, i cili mbylli një sezon fantastik me Kamzën, është rikthyer në stërvitje me ekipin, por ai nuk ka firmosur ende me kamzalinjtë.

Gjithsesi, situata nuk është problematike, pasi gjatë javës që vjen, Frashëri pritet të nënshkruajë kontratën e re me Kamzën, proces të cilin do ta ndjekin të gjithë lojtarët që do të vijnë, por edhe ata që do të rinovojnë.

BLINDIMI I PORTËS
Pas përfundimit të aventurës europiane me Partizanin, portieri Fabio Gjonikaj i është rikthyer procesit stërvitor te Kamza. Rikthimi i Gjonikajt lë të kuptohet se portieri do të vijojë të jetë pjesë e Kamzës edhe në Superiore.

Për të blinduar portën, drejtuesit e klubit vijojnë bisedimet me ish-portierin e Flamurtarit, Argent Halilaj, i cili është lojtar i lirë pas largimit nga vlonjatët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb