KAKAVIJE– Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Aida Hajnaj, ishte për inspektim në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës, ku ndër të tera ka folur edhe për kërkesën e Holandës për rikthimin e vizave për shqiptarët, pasi sipas kësaj të fundit janë rritur grupet kriminale dhe kërkesat për azil. Hajnaj u shpreh se sa i përket rastit të Hollandës, Policia shqiptare nuk ka pasur asnjë lloj problemi ose shqetësimi nga ana e tyre në lidhje me kërkesat e shtetasve shqiptarë për azil. Aida Hajnaj tha se Policia e Shtetit shqiptar bashkëpunon ngushtësisht me të gjitha homologet e veta.

Nëse konstatohet fluksi në sportelet e daljes, mendoni që emigrantët do kenë probleme gjatë rrugës së kthimit për në Greqi?
Aida Hajnaj: Më duhet të sqarojmë që fluksi nuk është tek sportelet në pikën e kalimit kufitar tek pala shqiptare në Kakavijë, por në fakt është në pikat e kalimit kufitar përsa i përket palës greke. Ne i kemi marrë iniciativat tona dhe kemi komunikuar sot me palën greke nga e cila tani kemi kërkuar të shtojë sa më shumë sportele, të shtojë njerëz, punonjësit e policisë, me qëllim që të lehtësojë sa më shumë fluksin që është krijuar në pikën e kalimit në palën shqiptare. Mendojmë se ky fluks do ndikojë pak në lëvizjen e tyre, por duhet të kuptojmë që pala shqiptare është në kapacitet të plotë të kabinave të saj. Janë nëntë kabina të cilat janë të vendosura si në hyrje dhe në dalje në kapacitet të plotë që po punojnë për të përballuar fluksin.

Ditët e fundit janë plotësuar edhe për marrëveshjen Shengen ku janë shënuar edhe disa pika të tjera në lidhje me kontrollin e shtetasve shqiptar që jetojnë në vendet e kësaj zone. Deri tani a keni patur raste të raportuara, shqetësime të krijuara nga shqiptarë, kthime mbrapsht, jo vetëm në Kakavijë por edhe në pikat e tjera doganore?

Aida Hajnaj: Jo, nuk kemi pasur raste të shqetësimeve të qytetarëve pasi qytetarët janë sqaruar në pikat e kalimit përkatëse për gjithë dokumentacionin që duhet të kenë për kalimin e tyre në vendet Shengen.

 Cili është opinioni juaj për masat e marra në lidhje me azilkërkuesit, sa ka ndikuar kjo në lidhje me emigracionin që ka pasur për nënshtetasit shqiptarë?

Aida Hajnaj: Aktualisht ne mund të themi që me masat që janë marrë ne kemi një ulje të shtetasve shqiptarë nga informacionet që kemi marre nga homologët tanë në lidhje me kërkesat e tyre për azil ne vendet e BE.
Përsa i përket rastit të Hollandës, ne nuk kemi pasur asnjë lloj problemi ose shqetësimi nga ana e tyre në lidhje me kërkesat e shtetasve shqiptarë për azil. Sidomos për këtë periudhë nga janari deri në gusht që ne po flasim.
Si e konsideroni vendimin e tyre për daljen e Shqipërisë nga marrëveshja Shengen?
Aida Hajnaj: Unë e theksoj edhe njëherë se përsa i përket kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë në shtetin e Hollandës ne nuk kemi pasur asnjë kontestim nga pala homologe, nga autoritetet hollandeze në lidhje me këtë fenomen. Dhe përsa i përket pjesës së kriminalitetit të shtetasve shqiptarë në Hollandë, unë theksoj edhe njëherë se Policia e Shtetit shqiptar bashkëpunon ngushtësisht me të gjitha homologet e veta, me misionet, atashetë që janë vendosur në Shqipëri, që mbështesin policinë shqiptare dhe janë të gatshëm për të ngritur grupe pune të përbashkëta hetimi, për të hetuar dhe goditur të gjitha këto grupe kriminale duke filluar që nga transfertat financiare të tyre e deri te konfiskimi i aseteve që ato kanë në Shqipëri.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb