Keidi Bare dëshiron që të provojë shanset e tij te skuadra e parë e Atletikos së Madridit, aq më shumë gjatë këtij sezoni kur skuadrës së Simeones i është bllokuar mundësia për të blerë futbollistë gjatë verës.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, futbollisti i Atletikos së Madridit dhe i Kombëtares Shpresa bën me dije se ka nënshkruar një kontratë së fundmi me skuadrën spanjolle, por pas pushimeve do të vendosë përfundimisht të ardhmen.

Ai deklaron se ndihet pjesë e skuadrës së parë, pasi prej një viti stërvitet thuajse rregullisht me të, grumbullohet shumë shpesh si dhe pret që të ketë shansin të tregojë vlerat gjatë sezonit në vijim.

Sa i përket skuadrës kombëtare Shpresa, e nis fjalën me një ndjesë të kërkuar tifozëve për rastet që ka shpërdoruar, ndërkohë që komenton largimin e De Biazit si dhe shpreh aspiratat për Kombëtaren A.

Çfarë do të ndodhë me Kejdi Baren në lidhje me Atletikon e Madridit?
Tani është një periudhë e shkurtër ku të gjithë janë me pushime dhe shumë çështje mbeten disi pezull. Mirëpo, disa ditë përpara pushimeve kemi biseduar dhe do të vendosim shumë shpejt se çfarë do të ndodhë me mua. Kam besim që do të bëjmë zgjedhjen më të mirë të mundshme për të dyja palët.

Mbyllja e merkatos së Atletikos për merkaton në verë, a jua shton shanset për të qenë pjesë e ekipit të parë?
Përafërsisht u bë gati një vit që unë jam pjesë e Atletikos, pra skuadrës së parë dhe vazhdimisht jam bërë pjesë e saj në grumbullime, në stërvitje apo kam qenë i pranishëm edhe në stol për disa takime, përveç debutimit në ndeshjen e Kupës. Gjithsesi, sa i përket lajmit për bllokimin e merkatos, kam besim se kjo gjë më rrit disi shanset për të luajtur duke qenë se jam pjesë e skuadrës.

Cila është dëshira juaj, doni të qëndroni tek Atletiko, apo preferoni më mirë një largim dhe më shumë hapësira?
Dëshira ime është që të luaj dhe që të bëj gjithmonë më të mirën e mundshme. Se ku do ta shpreh këtë dëshirë, ende nuk e di dhe nuk mund ta them me siguri, megjithatë unë shpresoj që ta shpreh këtë dëshirë me Atletikon./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: