RIO DE ZHANEIRO- Usain Bolt konfirmohet kampion olimpik edhe në garën e 200 metrave. Xhamajkani triumfoi në finalen e lojërave olimpike në Rio me kohën 19.78. Kjo është medalja e dytë që çon në shtëpi atleti pas asaj të 100 metrave në Brazil.

Kjo është medalja e tetë e arit që xhamajkani fiton në karrierën e tij në Olimpiada. Sakaq, medalja e argjendit shkoi për kanadezin Andre De Grasse, në kohën 20.02. Medalja e bronzit u fitua nga Christophe Lemaitre, me kohën 20.12.

Si në Pekin 2008, ashtu edhe në Londër 2012, kjo është fitorja e trefishtë në 100 dhe 200 metra, e paarritur nga askush para tij dhe shumë e vështirë për tu bërë nga të tjerë pas tij. Kjo e Usain Bolt duket si një garë kundër kohës, sepse në fund nuk ka kundërshtarë.

“Nuk dua të tregoj asgjë më shumë se kaq. Çfarë mund të bëj tjetër që t’i tregoj botës se jam më i madhi?” Kështu deklaroi pak pas fitores në 200 metra në Rio 2016, shkruan Tgcom. “Po kërkoj të jem një nga më të mëdhenjtë. Të jem mes Muhammad Ali e Pelé. Shpresoj të jem në atë lartësi pas këtyre lojrave”,- ka thënë ai.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb