TIRANE- Kryetari i FRPD-së, Belind Këlliçi sqaroi sot në “ABC News” përballjen me Lulzim Bashën në zyrën e këtij të fundit, pasi ngeli jashtë listave të kandidatëve për deputetë të PD.
Ai deklaroi se Basha i ka kërkuar një takim pas daljes së listave, për ta sqaruar pse nuk ishte, meqë mosqenia e kreut të FRPD, – i pari i zgjedhur sipas parimit një anëtar një votë, – shkaktoi mjaft zhurmë mes anëtarësisë, sidomos meqë Basha futi në lista humbësin e garës për kreun e FRPD, Ervin Salianjin. “Detajet e bisedës janë konfidenciale, por megjithatë unë e shpreha hapur që nuk isha dakord me moskandidimin”.

Ai pohoi gjithashtu se, pas përjashtimit të tij nga listat, ka pasur ofertë nga një parti tjetër, duke përjashtuar PS-në, por shtoi se, “Nuk kam ndërmend të largohet nga PD, sepse jam ideologjikisht i djathtë”.

Këlliçi tha se FRPD kanë bërë fushatë aktive në Shqipëri jo për listat por për logon e PD-së. “ndaj askush nuk mund të më akuzojë mua apo të rinjtë e FRPD se iu ikëm përgjegjësive gjatë fushatës”,- sqaroi Këlliçi.

Pyetjes si e komenton shprehjen se “PD u krijua nga studentët e dhjetorit dhe u shkatërrua nga studentët e Çilit”, iu përgjigj: “Shprehje shumë interesante, sepse Neim Çili, ai që kërkoi mandatin e dytë për Edi Ramën përpara zgjedhjeve të 25 qershorit, tani nëpërmjet marionetave të tij po kërkon të shtrijë ndikimin edhe te PD”.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: