Pasi hoqi fanellën e futbollistit, Mehdi Bushati ëndërronte të emërohej në ndonjë detyrë që kishte lidhje me sportin, edhe pse mbante dy diploma, atë të ekonomistit dhe të juristit. Duke qenë se Dinamoja, ekipi ku ai kishte luajtur, ishte nën varësinë e Ministrisë së Brendshme, kalimi pranë këtij institucioni u pa si i natyrshëm. Por nuk do të ishte edhe aq e thjeshtë për ish-sportistin të punonte në një sektor, që duhet të mbante armë në brez.

Deri sa u zgjodh në krye të Komitetit të Sporteve, do të duhej të përballej me gjithfarë situatash. Një prej tyre, nga më të vështirat, ishte ajo në Suedi, ku shoqëronte Ansamblin e Shtetit, që do të jepte disa koncerte atje. Do të kalonte ditë të vështira, për shkak se skena e koncerteve, që u ngrit në ambient të hapur, u sulmua nga elementë të emigracionit politik në Suedi. Dhe aq më tepër që në krye të këtij komuniteti ishte një kushëri i tij, të cilin ai e takoi dhe e këshilloi të tërhiqej.

Një situatë që nuk mbeti pa u referuar “lart” dhe do të kishte pasur pasoja, nëse nuk do të kishte ndërhyrë Kadri Hazbiu. Në librin e tij, “Një jetë me sportin”, Bushati tregon për periudhën e gjatë që kaloi në krye të Komitetit të Sporteve, shoqëruar me shqetësimet dhe momentet e gëzimit. Një rast i veçantë ishte edhe ndeshja mes Flamurtarit dhe Barcelonës në shtator 1986, shoqëruar nga entuziazmi dhe shqetësimi për pritjen dhe akomodimin e një prej skuadrave më të rëndësishme në botë. “Incidenti” me futbollistët vlonjatë dhe në fund rezultati pozitiv 1-1.

MEHDI BUSHATI
Detyra e ushtarakut, për hir të së vërtetës nuk kishte asgjë të përbashkët me botën e sportit nga vija. Sa më shumë vite kalonin, aq më të vështirë e kisha ambientimin me disiplinën e ushtarakut. Kështu për shembull, duke filluar nga mbajtja e detyruar e pistoletës në brez, të cilën unë e anashkaloja, për të vijuar te përdorimi i saj, të cilën edhe sot e kësaj dite nuk di as ta mbush, pastroj apo ta shkrep. Sigurisht që kjo binte ndesh me rregulloren dhe normat që janë të detyruara për zbatimin nga çdo ushtarak.

* * *
Kur kalova në Ministri, më caktuan të shoqëroja Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili zhvillonte një turne në Suedi dhe Norvegji. Porosia e Kadri Hazbiut ishte se në këto shtete do të ketë një kundërvënie të egër ndaj ansamblit, nga emigracioni politik reaksionar jashtë vendit, ndaj kujdesi për mbrojtjen e tij duhej të ishte maksimal. Organizatorët suedezë, pritës të Ansamblit, meqë ishin ditët e para të shtatorit dhe koha ishte e mirë, kishin planifikuar që shfaqjet t’i bënim jashtë, në lulishtet në qendër të Stokholmit.

Sipas tyre, kjo do t’i jepte mundësi një pjesëmarrjeje më të madhe të qytetarëve që kishin dëshirë për të qenë të pranishëm në këto shfaqje. Por, nga ana tjetër, kjo lehtësonte edhe praninë e një numri më të madh nga radhët e emigracionit politik dhe vështirësonte kontrollin e këtyre elementëve “keqdashës”, veçanërisht kur fillonte të errësohej. Dhe këtë mundësi ata e shfrytëzuan. Disa persona filluan të gjuanin me shishe e mjete të tjera të forta, objekte këto që përplaseshin direkt në skenën e shfaqjes, duke rrezikuar jetën e anëtarëve të Ansamblit.

Kjo nuk ndodhi vetëm një herë, por u përsërit për disa net radhazi. Natyrisht që kjo la një shije të keqe edhe te publiku i pranishëm. Kjo detyroi organizatorët suedezë, bashkë me organet përgjegjëse për sigurinë e qetësinë, të ndërhynin direkt tek emigracioni politik shqiptar, për të ndaluar këtë agresivitet të pakuptimtë ndaj Ansamblit, i cili me shfaqjet e tij të bukura kishte fituar simpatinë e spektatorëve suedezë. Nga kontaktet e marra, u vumë në dijeni se drejtuesi i emigracionit atje ishte një kushëri i imi, i quajtur Irfan Bushati.

Ai, pasi kishte mbaruar studimet e larta për gjeologji-miniera në Bashkimin Sovjetik, ishte kthyer në Shqipëri dhe më pas e kishin emëruar në rrethin e Tropojës. Nga atje ishte arratisur dhe më pas ishte vendosur në Stokholm. Në një nga ditët e shfaqjeve, dalloj Irfanin pranë trupës së Ansamblit. Iu afrova, i hodha krahun dhe fillova të bisedoj me të. Pasi folëm për disa akte të rrezikshme të ndërmarra nga disa elementë të emigracionit politik që po rrezikonin jetën e pjesëtarëve të Ansamblit me veprimet e tyre, ai e anashkaloi këtë shqetësim që kishim. Ai më shumë ishte i interesuar për të mësuar për familjarët e tij në Shqipëri, e në mënyrë të veçantë për vëllezërit, të cilët kishin pasur pozicione të favorshme në regjimin e kohës.

Atëherë, bashkëbisedimin tonë edhe unë e përqendrova të kjo tematikë, duke parë që kishte ndjeshmëri të madhe ndaj saj. Dhe i qartësova se pavarësisht arratisjes së tij, ndaj familjarëve dhe vëllezërve nuk u mor asnjë masë dhe nuk pati asnjë pasojë politike. Kjo e qetësoi dhe e çliroi nga një ankth që duket se e kishte vuajtur në vite. “Ndaj, i thashë, duke të folur si njeri i yti, që ua dua të mirën të gjithë familjarëve dhe të afërmve të tu, mos shkakto lëndime të reja. Për këtë po të bëj thirrje sa nuk ka ndodhur ndonjë akt më i rëndë, tërhiqu që të mos evidentohesh si pjesëtar i këtij grupi armiqësor e antishqiptar, se dënimi në Tiranë ndaj shkaktarëve të kësaj ngjarjeje pa precedentë do të jetë shumë i rëndë e gjithëpërfshirës”.

Duket se pas kësaj bisede Irfani reflektoi dhe gradualisht u tërhoq dhe bashkë me të edhe i gjithë grupi i emigracionit. Në ditët në vazhdim, kundërvënia ndaj Ansamblit erdhi duke u zbehur, derisa u shua plotësisht. Kur u ktheva në Tiranë, raportova për sa më sipër, por duke filluar nga organizata bazë e partisë, në nivel drejtorie e deri te disa drejtues kryesorë në Ministri, qëndrimi im në Suedi u cilësua krejtësisht i gabuar. Marrja “për krahu” e një të arratisuri politik, biseda “kokë më kokë” me të etj., u cilësuan si zbutje e luftës së klasave, mungesë vigjilence, e një shembull negativ për të gjithë trupën e Ansamblit.

Dhe sipas shefave madhorë të dikasterit, meritoja një ndëshkim disiplinor të rreptë. Ato ditë kam përjetuar ndjesi e momente shumë të vështira, derisa në fund kërkova takim direkt me ministrin Kadri Hazbiu. Atij i referova me hollësi mbi të gjithë qëndrimin e mbajtur në Suedi, ku qëllimi ishte të parandalonim çdo veprimtari keqbërëse ndaj Ansamblit të Shtetit. U lehtësova shumë kur në fund të takimit më tha se në rrethana të tilla “edhe unë po të isha, në këtë mënyrë do të veproja”.

Kjo më çliroi nga një ankth i madh që më kishte mbërthyer fort, por ky ishte edhe fillimi i një fundi për t’u ndarë përfundimisht nga organet e Ministrisë së Brendshme. Pas kësaj ngjarjeje, disa miq të ngushtë në këto organe, të cilët kishin përjetuar situata të ngjashme, më këshilluan që të tentoja të shkoja për specializim pasuniversitar njëvjeçar për ekonomi në Shkollën e Lartë të Partisë. Sipas tyre, kjo ishte një “trampolinë” që do të më mundësonte transferimin tim në një institucion tjetër. Dhe në fakt, kështu veprova. Në vitin arsimor 1978-1979 u pranova në kursin njëvjeçar dhe pasi mbarova me sukses kursin e lartë për ekonomi, isha në pritje të një emërimi të ri!

FLAMURTARI, REZULTATET E TIJ HISTORIKE NË KUPËN UEFA NË VITET 1986-1987
Flamurtari i Vlorës, si rrjedhojë e një performance brilante në gjysmën e viteve ’80 e në vazhdim, fitoi të drejtën e përfaqësimit të futbollit tonë në veprimtarinë e Kupës UEFA në dy sezone radhazi, 1986 dhe 1987. Duke iu rikthyer atyre viteve, kujtojmë se veçori e këtyre konkurrimeve ndërkombëtare ishte se shorti mund të të rendiste me ekipet më të mira europiane që në ndeshjet e para. Më konkretisht, më 16 shtator 1986, shorti vendosi që në turin e parë Flamurtarin përballë Barcelonës së famshme.

Mirëpo “Barça” e madhe, përveç anës sportive, krijonte shqetësim edhe për sa i përket akomodimit, sepse qytetit i mungonte infrastruktura e hotelerive për një pritje të tillë. I vetmi mjedis në atë kohë ishte hotel “Turizmi”, por edhe aty nuk plotësoheshin standardet e kërkuara për një klub të një niveli të lartë si Barcelona. Për këtë arsye lindi ideja e pritjes së delegacionit sportiv katalanas në kampin e pushimit të punëtorëve, tek Uji i Ftohtë, sipër në kodër, një mjedis shumë i bukur natyror dhe panoramik.

Me porosi të udhëheqjes së lartë shtetërore, u morën menjëherë masa për përmirësimin e ambienteve të fjetjes, restorantit, mjediseve çlodhëse etj., me pajisje dhe orendi të tjera, të reja e komode, të cilat u sollën nga Tirana. Edhe në mjediset jashtë shtëpisë së pushimit u vendosën shezlonge dhe elemente të tjera të nevojshme dekorative për të soditur edhe pamjen piktoreske që të ofronte pozicioni i kësaj shtëpie pushimi.

Kur arritën drejtuesit e klubit të Barcelonës në këtë mjedis natyror, na thanë që të mos ndërmerrnim asnjë masë tjetër shtesë, se pamje të tilla rrallë i kishin ndeshur në vende të tjera. Kurse futbollistët, nga kënaqësia e këtij ambienti shumë të bukur që i rrethonte, duke u nisur edhe nga fakti se ishin ditët e para të shtatorit, që favorizoheshin nga një klimë e temperaturë e përshtatshme, hodhën idenë se mund të flinin edhe jashtë. Pas ankthit të akomodimit të delegacionit sportiv të Barcelonës, na pushtuan ethet e ndeshjes bashkë me frikën e rezultatit të saj.

Megjithatë, herë pas here, nuk mungonte edhe entuziazmi te loja e Flamurtarit, shpirti i lartë luftarak e dëshira për fitore, karakteristikë vlonjate. Ishte dita e ndeshjes. Atmosfera sportive e përballjes me Barcelonën përjetohej nga i gjithë opinioni publik vlonjat e më gjerë, që nga fëmijët e deri te të moshuarit, duke depërtuar në çdo vatër familjare e qytetar të thjeshtë të Vlorës. Nisem për hotel “Turizmin”, ku qëndronte ekipi i Flamurtarit. Do të merrja pjesë në analizën e ndeshjes, e cila zhvillohej në orën 10 paradite.
flamurtari-barcelona
Aty do të jepeshin detyrat e fundit tekniko-taktike e objektivat kryesorë të ndeshjes nga stafi teknik e drejtuesit e klubit. Ndërsa po prisnim për fillimin e ndeshjes, mësojmë se mungonin tre futbollistë titullarë të ekipit. Pyesim si ishte e mundur mungesa e tyre në këtë takim zyrtar të rëndësishëm. Ata kishin dalë në qytet të kërkonin bileta për ndeshjen se ato që kishin marrë ishin të pamjaftueshme.

Ky ishte një rast i paprecedentë, e aq më shumë në një takim siç ishte ai ndaj Barcelonës, ku rregulli e disiplina pretendohet të jenë në shkallën më të lartë të mundshme. Për hir të së vërtetës, nuk e kisha përjetuar një rast të tillë të ngjashëm gjatë karrierës sime si futbollist e drejtues.

Mirëpo, siç e gjykonim ne, kjo të krijonte përshtypjen se futbollistëve u mungonte mobilizimi dhe vlerësimi ndaj një kundërshtari të tillë prestigjioz. Duke parë një situatë të tillë nervoze e të elektrizuar, afrohet një tifoz i Flamurtarit, një burrë që e kujtoj edhe sot, i moshës së pjekur dhe me thinja, i cili më thotë në formë sugjerimi: “Miku ynë Bushati, mos u flisni dhe thërrisni lojtarëve, ata janë mësuar me këtë formë pune, përpiquni t’i qetësoni se ata në ndeshje nuk do të jenë vetëm futbollistë, por edhe heronj…”.

Dhe në fakt, këshilla e qytetarit të urtë vlonjat që rridhte nga njohja deri në detaj e karakterit dhe psikologjisë së futbollistëve të Flamurtarit u mor parasysh. Çdo gjë nisi e përfundoi e qetë në atë mbledhje… Para fillimit të ndeshjes, nga meraku, kthehem të përshëndes edhe një herë ekipin në dhomat e zhveshjes, në kohën kur ata po bëheshin gati për nxehje.

Përsëri mungonin dy futbollistë të formacionit. Ata kishin hipur në tribunën qendrore për të ndarë biletat e fundit për miqtë e tyre. Në këto momente tepër stresuese, më del përpara tifozi i mirë vlonjat që ndiqte skuadrën e tij të zemrës, hap pas hapi dhe minutë pas minute dhe pa më thënë gjë, më la të kuptoja që t’i lija të qetë djemtë se janë aq të karikuar, sa nuk mbajnë më ngarkesë…

Gjatë zhvillimit të ndeshjes dhe pas saj e kujtoja me respekt tifozin e thekur të Flamurtarit si sportdashësin më objektiv dhe besues te forca e ekipit të tij. Dhe në fakt, loja e Flamurtarit është nderimi më i madh që skuadra i bëri qytetit të saj dhe gjithë futbollit shqiptar. Përfundimi i ndeshjes në Vlorë me shifrat 1-1 falë golit të Rucit dhe në transfertë në “Camp Nou” 0-0, ishte një nga rezultatet më të arrira në përfaqësimin e klubeve tona në veprimtaritë europiane./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: