Analisti Lorenc Vangjeli ka paralajmëruar surpriza në shtator në lidhje me rreshtimin e forcave politike. Në një analizë të bërë nga studio e rubrikës “Opinion” në “News24” përballë gazetarëve Armela Ferko dhe Edvin Parruca, Vangjeli ka folur për fushatën brenda Partisë Demokratike, dy kandidatët, nismat e kryeministrit Edi Rama, betimin e Presidentit të ri si dhe reformat. Gjatë gjithë kohës, Vangjeli shprehu një lloj bindjeje se Rama dhe Basha janë në të njëjtën anë, ndaj edhe foli për surpriza në shtator.

Ai shtoi se ky është një moment dëshpërues për opozitën por edhe për të gjithë demokracinë në vend dhe se gara në PD është hipokrite, shkruan “BalkanWeb”

Sipas tij Basha, ka qenë i suksesshëm deri në momentin që ai ka imituar paraardhësin e tij, në momentin që ai ka qenë vetvetja ai ka dështuar. E për Selamin, Vangjeli i njeh meritën e vetme që ai nuk është pjesë dhe nuk ka gisht në këtë humbje dramatike të PD-së.

INTERVISTA E PLOTË

Fushata në PD për të zgjedhur kryetarin… ka dhe një grup brenda PD që kundërshton garën duke e quajtur farsë… 
Një vrapim i një njeriu të ngrirë për të marrë një mandat të dytë përballë një sfiduesi që del dhe flet jo për atë që do të bëjë, por mbahet mend në Tiranë për atë që nuk ka bërë. Është një moment dëshpërues për opozitën shqiptare, madje shumë më shumë se kaq. Është moment dëshpërues për të gjithë demokracinë shqiptare. Ka shumë kaos dhe kaotizëm, dhe është një teatër hipokrit i cili po vazhdon duke varfëruar fjalët.

Për sa do të vazhdojë kjo situatë?
Hipokrizia është një nga gjërat më të hershme të natyrës njerëzore. Kjo është një garë hipokrite, ne jetojmë në një kohë hipokrite dhe kemi personazhë të cilët thonë jo atë që mendojnë por atë që duan ata që publiku të dëgjojë. Mund të kemi një kryetar formal të PD më datë 23 korrik po nuk kemi garë. Mund të kemi një Parti Demokratike e cila do të jetë sërish në krahun e djathtë të Lanës, ku ka qenë në këto vitet e fundit por asgjë nuk është më njëlloj për atë parti. Mund të kemi gjithçka që simbolizon shprehjen: Sa më shumë duket që ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë. Është e dhimbshme të shohësh se sa shpejt mbyllet cikli i atyre që premtohen si reformatorë dhe në fund fare fillojnë një cikël të ri, për fat të keq jo aty ku e lanë.

Selami a është një figurë me ambicie reale për kreun e PD apo një kandidat kukull?
E refuzoj ta them këtë, por Selami ende ka një imazh pozitiv për të, por jo për atë që ka bërë apo për atë që premton të bëjë. Është ndër rastet e rralla në politikë, që duartrokitet për atë që nuk e lanë dikur ta bënte. Ka 20 vjet i shkëputur nga Tirana, që nga viti ’95 kur e detyruan të largohet. Në 4 vitet e rikthimit, nuk ka qenë një vlerë e shtuar e PD-së, por i heshtur. Nuk i di kredencialet e tij që do prezantojë në garë për PD, përveç njërës, që ai nuk është pjesë dhe nuk ka gisht në këtë humbje dramatike jo e PD-së, por e themelit të demokracisë shqiptare.

A vuan PD sot mungesën e figurave të tilla për të zënë postin e kryetarit të PD?
E gjithë politika shqiptare në fakt ngjan me një dyqan kostumesh të gatshme. E njëjta prerje, e njëjta ngjyrë, e njëjta masë, e njëjta formë. E vetmja gjë që ndryshon është kostumi i kryetarit por gjithë të tjerët tentojnë t’i ngjajnë atij. Ka një zbrazëti të madhe. Tentativa për të krijuar klasën politike, është një nga dështimet më spektakolare të tranzicionit shqiptar prej 3 dekadash. Janë një grusht emrash që kanë dalë nga vitet ’90. Shikoni PD-në. Basha u duk se pati sukses sidomos në dimrin e këtij viti, që tentoi të shkrinte të gjithë energjitë e tij si individ por dhe të forcës që parashikonte deri në momentin që u vetëngri. Ai ka qenë i suksesshëm deri kur nuk ka tentuar t’i ngjajë paraardhësit të tij. Tentoi të “vrasë” atin e tij në politikë, dhe ka dështuar në momentin kur ka tentuar të jetë vetja. Edhe për PS e njëjta gjë është, nuk kemi individë që të frymëzojnë përveç kryetarëve.

Si e parashikoni ju hapin tjetër që do të hedhin ata që e kundërshtojnë që në parim garën brenda PD-së?
Përpara kësaj, duhet të shpjegojmë se pse është ky ngut i Bashës për të rimarrë kreun e Partisë Demokratike. Se nëse bëhet fjalë vetëm për garën, do ishte një supë e ngrohur dhe e ftohur shqiptare disa herë dhe nuk do kishte ndonjë gjë të madhe, i njëjti moçal me të njëjta kallamishte. Problemi është se është dhe një plan tjetër, që zotit Basha i duhet firma e vula legjitime e kryetarit të PD jo për korrikun kur ai u ngri dhe do të shkrihet, por për shtatorin kur do të ngrijnë të gjitha ekuilibrat qeverisëse në vend , kur Rama t’u tregojë shqiptarëve se me çfarë kabineti do të qeverisë. Basha do që kur Rama të hedhë në tryezë qeverinë e tij, të shikojë dhe të jetë ndoshta pjesë e kësaj tryeze me spaletat dhe vulën në xhep të Partisë Demokratike. Kjo besoj se është arsyeja se pse Basha është kaq ashpërsisht kundër, dhe kaq arrogant ndaj kërkesave të këtij grupi kritik. Imagjinoni sikur Rama të kishte shkuar me kokfortësi e arrogancë në zgjedhje qoftë dhe pa PD-në. Basha po shkon në zgjedhje për t’u rizgjedhur kryetar partie pa opozitën e tij. Kjo është e dëmshme në rrafsh afatgjatë.

Basha kryetar PD-je në shtator, është diçka që i volit edhe Ramës?
Patjetër.

E shikoni të lidhur me natën që ata kaluan bashkë të mbyllur në një dhomë?
Në kohë absurdi zakonisht njësoj si tek dentisti gjuha të vete tek dhëmbi dhe në politikë kur është koha e absurdit të shkon mendja tek erosi.

Në një mënyrë serioze zoti Rama ka bërë një shaka të vazhdueshme dhe shpiku një çift të ri në Tiranë, duke e vetëquajtur veten Romeo dhe në Ballkan burrat janë gjithmonë fitimtar, sipas mentalitetit ballkanas dhe ndërkohë zotin Basha e quajti Zhulietë. Ndërkohë që kam përshtypjen se ka ndodhur diçka tjetër, zoti Rama u soll me zotin Basha si një vajzë province dhe zoti Basha njëlloj si vajzat e provincës besoi që kur e ftojnë për kafe në hotel, e ftojnë që t’i japin kafe në dhomën e hotelit. Nuk ndodh kështu, as në jetë e as në politikë. Zoti Basha nuk piu kafe, pavarësisht se hëngri Big Mekun e Ramës gjatë negociatës së tyre ende jo transparente.

Ka pasur një pakt mes tyre, për garantimin e zgjedhjeve ku Rama mori 74 mandate, ndërkohë brenda PD-së kanë nisur zërat për manipulime të mundshme. A janë shqetësime reale këto?
Zotit Basha me atë marrëveshje iu hoq përfundimisht çdo e drejtë morale për të folur për probleme për cenimin e standardeve të zgjedhjeve edhe sikur ato të ekzistonin. Nuk e ka këtë të drejtë sepse u bë pjesë e bashkëqeverisjes, e asaj pjese të qeverisjes që kontrollon strukturat zgjedhore dhe në të gjitha rrethanat atij i duhet të zgjedhë, o mes atij që ia kanë hedhur o mes atij që ishte thjesht i paaftë ta bënte një gjë të tillë.

Po në studion tuaj, menjëherë pas zgjedhjeve kam paralajmëruar diçka, ishte më tepër logjika që e thoshte dhe kam përshtypjen se u realizua fakti që në Shqipëri do të flitet menjëherë pas zgjedhjeve për kanalizimin dhe për dibranizimin e gjithë Shqipërisë. D.m.th modeli i Dibrës së zgjedhjeve lokale të parakohshme që u bënë në 2016-ën, të cilat do të shtriheshin në të gjithë vendin.

E përsëris, një gjë e tillë e shqiptuar nga zoti Basha nuk tingëllon, është si një lloj OMGJ-je. Ka shumë më tepër forcë kur një gjë e tillë thuhet nga zonja Kryemadhi, si kryetarja e re e LSI-së sepse ishte partia që u tentua të vihej ndërmjet dy zjarreve si sandwich, është partia që fitoi duke humbur, triumfoi në një betejë që ishte thellësisht e pabarabartë, ndërkohë që zoti Basha nuk e ka këtë luks. Ndërkohë që zoti Berisha gjithçka që e thotë është kronikë por një kronikë jo e thjeshtë mediatike, por historike.

Do të isha shumë kureshtar të dija se çfarë mendonte realisht në këtë moment zoti Berisha, i cili bëri edhe një…në ndërhyrjen e sotme, në fushën e tij të lojës, të preferuarën e momentit, në “Facebook” fliste jo për 1 milion shuplakat e djeshme por duke u nisur nga krahasimi i dikurshëm, duke e huazuar këtë term nga Rama në 2013-ën thoshte që sot Ramën e kanë refuzuar 4 ndër 5 shqiptarë apo 2.6 milionë, një lodër fjalësh që tregon që…është shumë vapë për ta thënë dhe ndoshta nuk është shumë e udhës të thuhet në mikrofon.

Por, në qoftë se rri gjatë në tualet, kur del që andej nuk ankohesh për aroma që nuk shkojnë. Nëse e doni në formë më të sjellshme, provon disa lloj parfumesh, tek i katërti, i pesti ti nuk dallon dot më diferencën e aromave. Dhe në këtë moment, pasi ka ndodhur gjithçka është shumë e vështirë të flitet nga kjo palë, është shumë e vështirë të flitet për probleme në zgjedhje.

Aq më tepër që zoti Basha ka një problem shumë të madh, nuk di ç’tu japë sot demokratëve me ndoshta idenë që nesër do të jetë pjesë e tepsisë me socialistët. Ky është një paradoks shumë i madh. Në qoftë se e shikoni ka më shumë patos dhe grinte zoti Selami që flet kundër partisë socialiste që e refuzon një aleancë të mundshme me të se sa zoti Basha që thotë ‘jo nuk dua’ por ndërkohë e keni duke shtypur butonat e ashensorit për t’u ngjitur tek ky hoteli, n.q.s vazhdojmë të mbajmë po të njëjtën metaforë.

22 korrikun e PD-së e ndjek 24 korriku i betimit të Presidentit. Parlamenti i shkuar do të mblidhet sërish për të bërë betimin zoti Meta. Ka shumë zëra që aludojnë për skenarë të mundshëm. Prisni surpriza nga kjo seancë?
Data 24 korrik është një fillim dhe jo një fund. Është fillimi i një cikli të ri dhe jo fundi i një cikli të vjetër. Bëhet fjalë për një shkëmbim stafete, të themi presidenciale. Besoj se e vetmja gjë që do të mbetet nga kjo histori është që do të shënjohet që Shqipëria e pas 3 dekadave pluralizëm do të ketë presidentin e saj më politik deri sot, një staturë e cila është e spikatur. Por, siç iu thashë bëhet fjalë për një fillim e jo për një fund.

Zhurma është tjetër gjë. Kam përshtypjen se askujt nuk do t’i interesonte, sidomos në fushën e legjitimitetit ku askush nuk do të dinte se cilat do të ishin llogaritë e fundme. Kush do të fillonte një luftë, e cilado natyre të ishte ajo me legjitimitetin, i larguar nga emrat e përveçëm, do të dëmtonte më së pari veten.

Dhe ju besoni që do të shkohet të betohet Meta President ashtu siç është lënë dakord deri tani, pa asnjë problem?
Besoj se do të jetë kështu.

Si e shikoni Metën President? Kryeministri Rama e kritikoi hapur atë për qëndrimin që mbajti gjatë fushatës.
Në 4 vjet, ndoshta në 6 vjetët e fundit zoti Meta është sjellë si President, ndërkohë që në dy javët e fundit, a 3 javët e fundit të fushatës kuptoi se çfarë ishte gatuar, kuptoi që po bëhej fjalë për politikë, por jo politikën e tryezës por për tjetër gjë. Ishte njeriu që tentoi të afronte palët. Ishte njeriu që sakrifikoi si individ, duke nisur njëherë si individ pastaj edhe fatin e forcës së tij politike për t’i dhënë vendit standarde zgjedhore. Kam përshtypjen se nga të gjithë politikanët shqiptarë, ishte i pari dhe i vetmi që dalloi më qartë riskun, rrezikun, murin drejt të cilit po shkonim me shpejtësi për t’u përplasur të gjithë ne shqiptarët, në kushtet e mbajtjes së zgjedhjeve pa opozitën. Nëse e shikojmë historinë në këtë sy atëherë do të kuptonim shumëçka edhe nga zemërata e tij, edhe nga tensioni i tij edhe nga marrëdhëniet e tij me dy protagonistët e tjerë, qoftë me zotin Rama nga njëra anë, qoftë me zotin Basha nga ana tjetër që sot ngjajnë se janë në të njëjtën anë.

Kryeministri Rama deklaroi menjëherë pas zgjedhjeve se do të niste një fushatë që synonte bashkëqeverisjen me qytetarët por ka cituar një nga ato shprehjet e tij ‘çuarjen e tepsisë për skrap” duke iu referuar kështu matjes së performancës së administratës publike, ka pasur nënkuptime në fakt që do të ishte një goditje ndaj të gjithë anëtarëve të LSI-së që janë të punësuar në administratë. Çfarë mendimi keni?

Bëhet fjalë kap përshtypjen për postet politike të cilat janë marrë në emër të kësaj force politike që është normale kur partia e tyre del në opozitë edhe ata do të largohen. Ndërkohë që e njëjta histori nuk ka shans dhe nuk ka gjasë besoj që të shtrihet deri në nivelin e punonjësve të administratës. Nëse kjo do të ndodhte, sepse gjithçka mund të ndodhë në Shqipëri, në 2013 u tentua të bëhej një gjë e tillë por nuk ndodhi kurrë në atë përmasë që u tha…nëse do të ndodhe do të ishte një hallkë tjetër në zinxhirin e gjatë të paaftësisë sonë për të ndërtuar administratën.

A është reforma në administratë, një mënyrë për ta bërë këtë të fundit?
Fjala reformë është fjala që ka inflacionin më të lartë në gjuhën shqipe. Përdoret për të treguar dy gjëra: e para nevojën që ka për të ndryshuar diçka dhe e dyta nevojën për të fshehur diçka tjetër. Sa herë bëhen punë të liga zakonisht thuhet po reformojmë këtë apo atë. Kam përshtypjen se kjo histori do të ketë surpriza. Deri në shtator do të ketë surpriza, tek rreshtimi i forcave politike. Mund t’ju them diçka tjetër që politika nuk është si aritmetika. Aritmetika politike në këtë moment do të dëshmonte që fjala vjen 65-a është më e madhe se 74-a. Në çfarë kuptimi, në kuptimin që nëse PS do të kishte vetëm 65 deputetë apo më pak atëherë shumë llogari do të ishin ndryshe. Madje dhe gara në PD do të kishte tjetër ngjyrë, tjetër shije, madje, madje dhe tjetër nerv.

Po lëvizja e një kryeministri të përfshirë në reformën, në administratën publike e legjitimuar kjo përmes opinioneve të qytetarëve, si e shihni këtë lëvizje?

Ka pasur një slogan shumë të famshëm në kohë të komunizmit kur flitej në emër të popullit. Në emër të popullit edhe merreshin vendime, dhe bëheshin ekzekutime dhe është pak cinike që një nga njerëzit më anti-komunistë siç është Rama tenton të flasë në emër të popullit në këtë mënyrë apo duke tentuar të vjelë mendimin e publikut, është populizëm. Ngjan se i bën të tjerët anëtarë të qeverisë, por Shqipëria dhe pushteti është i përqëndruar në duart e tij, Ramës. Edhe për shkak të fitores së tij, edhe për shkak të sistemit, ku kryetarët e partive janë shumë të fortë, edhe për shkak të munegsës së krahasimit. Askush nuk do ta kundërshtonte Ramën brenda partisë së tij, dhe jashtë partisë do kishte një opozitë. Nuk e shoh si avantazh të Ramës këtë. Dhe tentativa e tij për të qenë ndryshe nga viti 2013, kur akuzohej për arrogant, sot modestia e zotit Rama ka marrë përmasa epike. Nuk është kostumi i tij i zakonshëm, madje dhe e folura e tij në emër të popullit, i këtij njeriu që ka lindur nga anarkizmi demokratik. Çorapet e kuqe të Ramës nuk kanë pasur kurrë lidhje me komunizmin, por me faktin që ai donte ta shkelte komunizmin. Rama është artist në politikë, por ende nuk e ka kthyer politikën në art.

 (e.f/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: