Për Cristiano Ronaldon “El Clasico” e luajtur mbrëmë dhuroi shumë emocione, si pozitive dhe negative, madje një moment mund emocional mund t’i kushtojë shumë portugezit.

Fituesi i 4 topave të artë hyri si zëvendësues në minutën e 58-të pasi ende nuk mund të luaj një ndeshje të plotë për shkak se i është bashkuar me vonesë përgatitjeve me klubin. Rezultati në ato momente ishte 0-1 në favor të besuarve të Zinedin Zidan dhe Ronaldos fillimisht iu desh të “shijonte” golin e Messi-t para se të kalonte sërish Realin në avantazh me një gol mjaft të bukur.

Festa i kushtoi kartonin e verdhë 32-vjeçarit i cili hoqi bluzën, por 2 minuta më pas Ronaldo do të merrte të dytin e verdhë pasi gjyqtari e cilësoi stimulim një rrëzim në zonë të portugezit. Nga festa në ferr për Ronaldon i cili i tradhëtuar nga nervat shtyu arbitrin e takimit.

Ky episod mund t’i kushtojë shumë pasi rregullorja parashikon pezullim nga 4 deri në 12 ndeshje.

Gazeta “AS”, e cila duhet theksuar është shumë pranë madrilenëve nuk nguroi të hiqte një paralele me një rast të ngjashëm në një tjetër “El Clasico”, por këtë herë disa vite më parë me protagonist Lionel Messi-n.

Bernabeu, sezoni 2008-2009, kur Barcelona fitonte 2-6.

Në minutën e 10 të pjesës së dytë, kur rezultati ishte 1-3, argjentinasi po vërsulej drejt portës së Realit kur u pengua pa dashje nga arbitri Undiano Mallenco. Ky arbitër akordoi goditje dënimi për Raulin, i cili përfitoi nga pengesa e papritur dhe zotëroi topin. Në këtë moment, Messi shtyu arbitrin i pakënaqur nga mënyra si rrodhën ngjarjet.

Undiano nuk e ndëshkoi argjentinasin dhe nuk e pasqyroi në relacion këtë incident.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb