Botërori është ngjarja më e madhe futbollistike dhe këtë herë ka nderin të organizojë Rusia. Siç dihet, ky kompeticion nuk vlen vetëm nga ana sportive, pasi me të janë të lidhura edhe një sërë aspektesh të tjera, si të ardhurat që vijnë nga tifozët, imazhi i vendit, e të tjera si këto.

Vlen të përmendet se një nga problemet më shqetësuese për Rusinë është dhuna që mund të ushtrojnë huliganët ekëtij vendi. Për të shmangur incidentet dhe për të garantuar sigurinë maksimale gjatë evenimentit të Kupës së Botës, autoritetet ruse kanë prezantuar krijimin policisë turistike. Një tjetër arsye se përse rusët e ndërmorën këtë hap është përpjekja për të transmetuar imazhin e një vendi paqësor pas tensioneve të fundit diplomatike ku është përfshirë Moska zyrtare.

Ministri i Brendshëm, Vladimir Kolokoltsev, komunikoi ngritjen e institucionit të kësaj policie speciale, anëtarët e së cilës duhet të zotërojnë disa gjuhë.

“Policia turistitke do të jetë e përbërë nga anëtarë të ministrisë të brendshme dhe agjentëve të policisë, të cilët zotërojnë gjuhë të ndryshme dhe do të angazhohen nëpër stadiume dhe zonat që do t’u rezervohen tifozëve nga 25 maji, në të 11 qytet që do të mirëpresin 64 ndeshjet e Kampionatit Botëror,” lexohej në komunikatën e Ministrisë të Brendshme ruse.

Përballjet e dhunshme mes tifozëve rusë dhe atyre anglez gjatë Euro 2016 kanë mbetur në memorien kolektive, aq sa disa kohë më parë kishte shumë dilema nëse duhej mbajtur një turne ndërkombëtar pikërisht në Rusi. Gjithsesi, mundësia që huliganët rusë të përsëritin episodet e dhunës në këtë rast parashikohen minimale.

Sipas informacioneve, policia ruse ka nën mbikëqyrje të gjithë kapot e grupeve të ndryshme të tifozëve dhe në rast se disa prej anëtarëve të këtyrë klaneve do të mund të depërtojnë në zinxhirin e kontrolleve pasojat për ta do të jenë shumë të rënda. Policia ruse ka qenë shumë e qartë në deklaratat e ndryshme të përsëritura.

Ndërkohë që parlamenti rus ka lajmëruar që gjatë muajit prill të 2017-ës se gjobat për incidentet e dhunës do të nisin nga shifra e 283 eurove, për me tepër të përfshirët do të ndalohen të lëvizin në territorin kombëtar për 7 vjet, çka nënkupton se nuk do të mund të shoqërojnë skuadrat e tyre nëpër transfertat e ndryshme. Gjithashtu, huliganët që janë regjistruar në incidentet e 2016-ës, nëse do të përfshihen sërish nëpër episode të tilla, do të humbasin edhe vendet e punës.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb