TIRANE- Pak orë pas aksidentit tragjik të rrëzimit të helikopterit EC 145 Cougar në Liqenin e Shkodrës, Ministria e Mbrojtjes ka shpallur “Dëshmorë të Atdheut”, kapitenin Florian Deliaj dhe togerin Donald Hoxha.
Komisioni Shtetëror për Dëshmorët shpalli “Dëshmor i Atdheut” dy pilotët e Forcave të Armatosura, kapiten Floran Deliaj dhe toger Donald Hoxha, të cilët u ndanë nga jeta më datë 6 prill 2016, si pasojë e rrëzimit të një helikopteri EC 145, me të cilin po zhvillonin një fluturim stërvitor në Grizhë të Malësisë së Madhe.
***
Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë njoftojnë se homazhet në nderim të dy pilotëve të Forcës Ajrore, “Dëshmorë të Atdheut”, kapiten Floran Deliaj dhe toger Donald Hoxha, të cilët ranë në krye të detyrës si rezultat i rrëzimit të helikopterit EC 145 në Grizhë të Malësisë së Madhe, do të mbahen ditën e enjte datë 07 prill 2016 nga ora 12:00 – 14:00 në mjediset e Pallatit të Kongreseve.
Ceremonia e përcjelljes së dy ushtarakëve për në banesën e fundit do të zhvillohet në orën 14:30 në Varrezat e Dëshmorëve.
***
Biografia e dy pilotëve që humbën jetën nga rrëzimi i helikopterit EC 145 në Grizhë të Malësisë së Madhe
Toger Donald Hoxha
Toger Donald Hoxha u lind me 17.06.1988 në Berat. Kreu Akademinë e Aviacionit të Pozzuolit në Napoli, Itali ku e përfundoi me sukses në vitin 2011 dhe u certifikua si pilot. Pas shkollimit, u emërua si pilot në Forcën Ajrore dhe më pas në Bazën Ajrore të Farkës ku dhe shërbeu nga viti 2012 me profesionalizëm e devotshmëri. Detyra e fundit e toger Hoxhës ishte “pilot (SAR)” në Grupin e Helikopterëve në Bazën Ajrore të Farkës
Kreu kurse të ndryshme kualifikimi, brenda dhe jashtë vendit, për pilotimin e helikopterëve të tipit EC145 (SAR).
Kapiten Floran Delia
Kapiten Floran Delia lindi në 01.10.1973 në Dibër. Kreu studimet e në akademinë ushtarake “Skënderbej” nga ku u diplomua në vitin 1996 në specialitetin “Oficer Aviacioni”.Nga viti 2004 e në vazhdim ka kryer detyra të ndryshme në Repartin e Farkës, si pilot ekuipazhi i parë në BO105 dhe komandant ekuipazhi SAR. Kapiten Delia ka kryer kurse kualifikimi brenda dhe jashtë vendit. Kapiten Delia ishte i martuar me 3 fëmijë.
(el.sp/BalkanWeb)